Një nga debatet me tone të larta në Kryesinë e PD ishte mes Flamur Nokës dhe Lulzim Bashës. Kjo për shkak të deklaratave të Bashës për përfshirjen e Suel Çelës, Tom Doshit dhe Aqif Rakipit në firmosjen e formularëve për thirrjen e Kuvendit.

“Thoni se po  e organizon Aqif Rakipi, Suel Çela, Rraja, Tom Doshi. Është shumë e rende kjo deklaratë. Po thoni indirekt që Sali Berisha paska lidhje me bandat. Në rast se delegatët e Elbasanit janë intimiduar nga kushdoqoftë, atëherë unë jap dorëheqjen. Se çfarë bëjnë njerëzit në punë të tyre, kjo është pune e tyre”, u shpreh Flamur Noka.

Por nga ana tjetër, Lulzim Basha është kundërpërgjigjur duke thënë se, “Tani, që Aqif Rakipi është futur me kokë në këtë proces, e ka marrë vesh gjithë Elbasani. A është futur Suel Çela? Po është futur! Dhe jam i bindur se është me porosi të Edi Ramës dhe jo të Sali Berishës. Po çfarë mund të bëjë një 20 e ca vjeçar 4 orë nën presionin e Suel Çelës përveçse të firmosë? Është turpi i kësaj partie të rrijë nën mëshirë të Suel Çelës, Aqif Rakipit, Tom Doshit dhe Xhelal Rrajës. Po detyra jote Flamur është t’i thuash atyre demokratëve që të ankohen në Elbasan për Suel Çelën “Suel Çelës ia thyej brinjët këtu”, po ti 4 orë rri në Elbasan dhe ikën. E kam të pamundur në çdo qelize të trurit tim të pranoj Sali Berishën si porositës, por ai që gjen kohën për të reaguar për çdo gjë dhe nuk gjen kohën për të reaguar për këtë, kjo nuk e nderon. Asnjë fjalë për Aqif Rakipin, asnjë fjalë për Suel Çelën”./tvklan.al