Në prag të Euro 2024, trajneri Luciano Spalletti synon që të thërrasë tek Italia katër numra 10 që me fanellën e kaltër kanë bërë historinë. Sipas teknikut, kjo do t’i japë diçka më shumë përfaqësueses dhe do të motivojë futbollistët.

Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, tekniku 65 vjeçar tha se pritet të ketë këshilltarë ish-futbollistë, të cilët janë shpallur kampionë bote, si Alesandro Del Piero e Françesko Totti në 2006 e Xhankarlo Antognoni në 1982, si edhe Roberto Baggio nënkampion në 1994.

“Do të më pëlqente që të sillja në Coverciano, kur të grumbullohemi për përgatitjet e Euro 2024, 4 numra ‘10’ të nivelit botëror si Baggio, Del Piero, Totti e Antognoni. Kam biseduar me Gravinën. Mendon se mund t’i japin shtysën djemve për të patur një paraqitje më të mirë. Së shpejti do të marrin ftesat zyrtare.”

Rivali i parë i Shqipërisë në europianin Gjermani 2024 do të jetë Italia. Sfida do të luhet më 15 qershor në stadiumin “Iduna Park” të Dortmundit. Në grup janë edhe përfaqësueset e Spanjës dhe të Kroacisë. Tekniku italian ka bindjen se skuadra e tij do të bëjë mirë në këtë fazë.

“Nuk duhet t’i trembemi asnjërit, ta ngulisim mirë këtë mendim në kokë! Do të ndjehem trajner i përfaqësueses vetëm kur të çoj Italinë përpara në europian. Fanella e kaltër është diçka speciale!”

Sipas teknikut, Italia si kampione në fuqi ka detyrën që të bëjë paraqitje të mira. Ndeshjet e Europianit Gjermani 2024 do të transmetohen ekskluzivisht në televizonin Klan.

Klan News