Gjueti shtrigash i cilësoi Krybashkiaku i Tiranës Erion Veliaj akuzat e kundërshtarëve politikë për ish-drejtorët e arrestuar, në kuadër të hetimeve për kompaninë “5D”.

Edhe pse çështjen e la në dorë të drejtësisë, Veliaj vlerësoi punën e tyre për kryeqytetin, duke theksuar se ai vetë nuk ka asnjë lidhje me përfitimet e paligjshme të Mariglen Qatos, Redi Mollës apo të ish-zyrtarëve të tjerë.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: E kam vlerësuar punën e tyre në bazë të rezultateve, në sektorët që ata kanë drejtuar, në kohën që kanë punuar në Bashkinë e Tiranës. Më vjen tmerrsisht keq, që disa zyrtarë të rëndësishëm të kësaj bashkie të jenë angazhuar në punë të pista për përfitime personale. Unë vetë nuk kam çfarë pres për t’ju parë të gjithëve në sy dhe për t’ju thënë se asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë as me ta dhe as me askënd tjetër. Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm.

Veliaj tha se do të jetë drejtësia ajo që do të vërtetojë fajësinë ose jo të ish-zyrtarëve të Bashkisë.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Cilido individ që është përfshirë në këto çështje, duhet të përballet vetë me drejtësinë, i zhveshur nga çdo lloj mbrojtjeje tjetër, përveç mbrojtjes ligjore nga avokatët e vet.

Krybashkiaku deklaron se ai apo kryeministri i vendit nuk mund të kenë dijeni mbi aktivitetet e paligjshme të vartësve të tyre.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?

Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?! Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj.

Ashtu siç janë punët të ndara, Veliaj thotë se edhe përgjegjësitë janë individuale para ligjit.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Punët janë të ndara, siç janë edhe përgjegjësitë e qëllimet tona publike nga përgjegjësia individuale e secilit para ligjit dhe nga qëllimet e erreta personale të kujtdo që përfiton në rrugë të paligjshme, duke abuzuar me detyrën, pas shpinës së institucionit e të atyre me të cilët e lidh puna e përbashkët.

Veliaj shprehu mbështetjen për drejtësinë e re.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Shqiptarët e kanë dëgjuar dhjetra, në mos qindra herë, nga goja e kryetarit tonë, Edi Ramës, se ne duam një drejtësi të drejtë, që të godasë djathtas e majtas.

Nuk i kurseu ironitë edhe për kundërshtarët politik.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Kanë një mandat deputeti të partive me vulë të humbur, poq që s’kanë asnjë respekt për faktet.

Pati dhe një përgjigje për akuzat lidhur me Inceneratorin e Tiranës.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: E vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti.

Kryebashkiaku shprehet se pavarësisht akuzave, ai dhe zyrtarët e Bashkisë do të vijojnë punën dhe investimet për të transformuar kryeqytetin.

Klan News