Task Forcë e përbashkët mes Ministrisë së Brendshme shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe kundër krimit të organizuar. Ky është propozimi që u dakordësua këtë të hënë në Abu Dabi nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe homologu i tij Saif Bin Zayed Al Nayan. Ngritja e kësaj Task Force ndër të tjera do të forcojë dhes bashkëpunimin mes Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dabi.

“Kemi diskutuar për çështje që lidhen me bashkëpunimin mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit. Theksoj që bashkëpunimi ka qenë i mirë. Kemi pasur disa raste pozitive të trajtimit në mënyrë të veçantë e po ashtu do të vazhdojmë diskutimin për këtë çështje edhe me Ministrin e Drejtësisë për një çështje që ka marrë shumë vëmendjen në Shqipëri, që lidhet me ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare drejt Shqipërisë”, tha Balla.

Dy ministrat dakordësuan gjithashtu edhe për asistencën që Emiratet e Bashkuara Arabe pritet t’i japin Shqipërisë në fushën e emergjencave civile.

“Kemi kërkuar marrjen e asistencës nga ana e qeverisë dhe e Agjencisë së Mbrojtjes Civile në mënyrë që të përballojmë disa prej sfidave që kemi përpara. Po shkojmë drejt sezonit të verës dhe kujtova këtu faktin që vitin e kaluar kemi pasur një numër të konsiderueshëm zjarresh, 834 zjarre të cilat është e pamundur të përballohen vetëm nga gjithë ekipet e tona dhe infrastruktura që kemi për mbrojtjen kundër zjarrit”, shtoi ministri.

Gjatë vizitës zyrtare, Balla pritet të takohet dhe me ministrin e Drejtësisë në Emiratet e Bashkuara Arabe ku do të diskutojë lidhur me çështjet e deportimit apo ekstradimit të shqiptarëve të kërkuar nga drejtësia.

Tv Klan