Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se Partia Socialiste është për drejtësi dhe se rregullorja e Kuvendit do të zbatohet për të gjithë deputetët njëlloj, pavarësisht emrit të personit për të cilin kërkohet të hiqet imuniteti.

Balla tha se PD po përpiqet ta kthejë këtë procedurë ligjore të drejtësisë në një teatër në interes të hallit të PD dhe jo në interes të drejtësisë.

Ai tha se ka një dallim shumë të madh mes PS, kryeministrit Rama dhe atyre që ai i quajti hallexhinj të PD-së dhe të tjerëve.

“Ne jemi këtu në një luftë për drejtësi, këta hallexhinjtë e PD-së janë këtu në një luftë për pushtet, e këtu ne kemi një dallim shumë të madh edhe në mënyrën se si po lexojmë rregulloren e Kuvendit.”

Lidhur me votën pro apo kundër heqjes së mandatit të deputetit, Balla tha se “

nuk ka për të pasur asnjëherë në Kuvendin e Shqipërisë një votë të Partisë Socialiste kundër drejtësisë. Prandaj dua t’ju them të gjithëve se ne jemi për drejtësinë, jemi për Shqipërinë që duam.

Balla tha se si kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së

“i kam bërë të njohur kryetarit të Kuvendit qëndrimin tim për njoftimin sa më parë të kësaj mbledhjeje dhe jam shumë i sigurt se kryetari i Kuvendit do ta respektojë fjalë për fjalë, germë për germë, rregulloren e Kuvendit.” /tvklan.al