Ashtu siç kishin paralajmëruar demokratët zyrtarizuan në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni Ad-Hoc parlamentar për reformën zgjedhore. Lulzim Basha ndonëse u shpreh i hapur për sistemin zgjedhor, e kushtëzoi procesin me tre kërkesa të opozitës.

“Jemi të hapur për modelin por duhet të plotësojë tre kushte sipas PD-së, votimin dhe numërimin elektronik, të ulë rolin e kryetarëve dhe partive politike, të fuqizojë dhe t’i japë më shumë pushtet qytetarëve për të vendosur mënyrën e përfaqësimit të tyre në parlament dhe gjithë organeve vendimarrëse”,

tha Lulzim Basha.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkojnë shumicë të cilësuar. Por një kohë kur vetë kryetari i Partisë Demokratike thotë se marrëveshja e 18 majit mes tij e kryeministrit Rama ka vdekur, si do të arrihet miratimi i reformës zgjedhore?

“Marrëveshja e 18 Majit u vra nga Edi Rama përmes zgjedhjeve të 25 qershorit. Ne nisemi në këtë betejë duke pasur Edi Ramën përballë dhe jo në krah. Ne e llogarisim Edi Ramën në këtë përpjekje jo si aleat për reformimin e sistemit politik, por si vetë problemi. Ndaj jemi të vendosur që këtë përpjekje ta bëjmë jo thjesht të izoluar në Kuvend, jo vetëm me demokratët dhe opozitarët por gjithë qytetarët shqiptarë që e kanë kuptuar se gjendja e vendit është produkt i drejtpërdrejt i gjendjes së politikës”

, deklaron Basha.

Në kërkesën që mban firmat e 10 deputetëve demokratë, thuhet se implementimi i reformës zgjedhore duhet të synojë pamundësinë e blerjes së votave me paratë e krimit dhe korrupsionit qeveritar, një shqetësim ky i evidentuar edhe në raportin final të ministrave teknik të opozitës.

Tv Klan