Kur ka mbetur më pak se një javë nga protesta e thirrur nga opozita, Lulzim Basha kerkoi nga Korça  t’i japet fund qeverisjes me dy standarte, që sipas tij ka varfëruar shqiptarët dhe pasuruar miqtë e kryeministrit, duke marrë si shembull kompaninë ARMO.

Lulzim Basha:

“Zgjedh të rrisë çmimin e energjisë elektrike, zgjedh të rrisë çmimin e naftës, që të marrë me një dorë 220 milionë euro ARMO, pra Edi Rama me Beson me shokë, dhe 50 milionë euro taksa të papaguara”.

Në 27 janar Basha tha se opozita do të protestojë për të ndalur projektin e Kryeministrit për kapjen e drejtësisë, që kreu i demokratëve thotë se nisi me zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme më 18 Dhjetor.

Lulzim Basha:

Ne sot kemi një prokuror të emëruar pa vetting. Përse? Për t’i kthyer pasaportën Sajmir Tahirit, për të prishur gjyqin e Emiljano Shullazit, për të bërë të pakapshëm Klement Balilin, i cili bredh nën hundën e policisë, nga mesi i Tiranës në lokalet e Sarandës”.

Të shtunën opozita proteston për largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie antimafia si e vetmja mundësi sipas saj që mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.  

Tv Klan