Në kulmin e fushatës elektorale, kreu i demokratëve Lulzim Basha është nisur për një vizitë 24 orëshe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pak ditë më parë në një aktivitet elektoral me fermerë të Korçës, Basha nuk mohoi një takim mes tij dhe presidentit Donald Trump gjatë vizitës në SHBA.

Zyra e  shtypit pranë selisë blu ka qenë tejet diskrete lidhur me axhendën e Lulzim Bashës në Amerikë, ndërsa shpërndau një takim elektoral të zhvilluar të hënën me banorë të fshatit Hamil në Fier, të cilëve Basha u shpjegoi planin e tij ekonomik.

“Pasi kemi parë problemet reale, mundësitë reale për të dalë nga kjo gjendje. Pasi e kemi konsultuar me ekspertët më të mirë të fushave të bujqësisë dhe blegtorisë dhe pasi kemi marrë vulat e ekspertëve më të mirë të ekonomisë në Gjermani, në Europë, që janë këshilltarët ekonomikë të kancelares gjermane. Qëllimi është  rritja ekonomike, punësimi, mirqenia e njerëzve”.

Mbështetjen për programin ekonomik të demokratëve e dha nga Durrësi në një takim elektoral me banorë të këtij qyteti edhe këshilltari politik I grupit parlamentar CDU në Bundestagun gjerman, Hans Joachim Falenski.

“ Ky program siguron një ekonomi të fortë dhe më shumë vende pune. Partia Kristian-Demokratike Gjermane së bashku me Angela Merkelin e vërtetojnë çdo ditë që ky program funksionon dhe çdo ditë krijohen vende të reja pune. Prandaj ju them që ky program funksionon ndaj na besoni ne dhe i besoni Lulzim Bashës. Shkoni votoni me 25 Qershor. Ju thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Votoni për ndryshimin e qeverisë dhe do hyni më shpejt në Europë.

Këshilltari politik i CDU-së  hodhi kritika të ashpra në adresë të kreut të qeverisë që sipas tij kanabizoi vendin dhe largoi shqiptarët.

Tv Klan