Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ripërsëriti qëndrimin e opozitës për të mos u tërhequr nga protesta pa dorëheqjen e qeverisë dhe se nuk do të pranojnë që pas ekonomisë fasadë, qeveria të realizojë edhe zgjedhje fasadë e drejtësi fasadë.

“Ne të gjithë bashkë nuk do të pranojmë kurrë një drejtësi fasadë. Do të ketë drejtësi të vërtetë me bijtë dhe bijat shqiptare me integritet, që varen nga ligji dhe vetëm ligji,” tha Basha, teksa fliste tek çadra ku janë mbledhur protestuesit opozitarë para Kryeministrisë.

Ai tha se me “askush nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit sipas ligjit që nga kryeministri deri tek qytetari më i thjeshtë, të gjithë të barabartë para ligjit.”

“Çdokush që ka lyer duar me krimin ndaj shqiptarëve do të përfundojë para një drejtësie të pakapur, duke nisur që nga bandat,” tha Basha duke folur për reformën në drejtësi. Ai akuzoi qeverinë se po përpiqet të kapë edhe drejtësinë.

Basha tha se zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza është qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira.

“19 deputetët me rekorde kriminale janë akoma në Parlament. Disa i beri kryetar bashkish, por pjesën më të madhe i keni aty…Pse i mban? I mban se i duhen për të vjedhur zgjedhjet,” tha Basha.

“Votat shiten dhe kriminelët përdoren për të shantazhuar dhe prishur procesin zgjedhor,” tha ai, teksa e cilësoi edhe demokracinë si fasadë. “Demokraci fasadë do të thotë se pavarësisht se çfarë thonë qytetarët do të interpretohet ndryshe…tani donin edhe zgjedhje fasadë, prandaj nuk e donin votimin elektronik.”

“Nuk do të ketë më zgjedhje fasadë, nuk dot ë ketë më zgjedhje të manipuluara,” tha Basha. “Kushti i kushteve është një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ky është kushti, kjo është zgjidhja për t’i dhënë fund demokracisë fasadë.” /tvklan.al