Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Kurbin nga reshjet e shumta të shiut të cilat kanë shkaktuar përmbytje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha tha se qytetarët janë braktisur nga kjo qeveri të cilën e quajti të papërgjegjshme.

“Këto janë investimet e rilindjes: me shiun e parë qytetet përmbyten, shtëpite e bizneset po ashtu,”

tha Basha.

Kreu i PD-së gjithashtu i shprehu ngushëllimet familjes së Kol Menges, që humbi jetën tragjikisht për shkak të përmbytjeve.

“Ndërkohë që Edi Rama rrihte gjoksin për suksese imagjinare, qindra familje të Laçit dhe Fushë Krujës u lanë në mëshirë të fatit.

Këto janë investimet e rilindjes: me shiun e parë qytetet përmbyten, shtëpitë e bizneset po ashtu. Qytetarët janë braktisur nga kjo qeveri e papërgjegjshme që kujtohet për ta vetëm për t’ju marrë votën.

Fatkeqësisht përmbytjet mbrëmë shkaktuan një tjetër viktimë, ashtu si edhe një vit më parë. Duke shprehur ngushëllimet për familjen e Kol Mengës që humbi jetën tragjikisht për shkak të përmbytjeve, i bëj thirrje qeverisë të lërë propagandën dhe të marrë në dorë situatën për të ndalur çdo fatkeqësi tjetër dhe për tju ardhur në ndihmë banorëve të goditur.”/tvklan.al