Për afro 30 minuta Lulzim Basha është takuar në rezidencën italiane me ministrin e Brendshëm, Marko Minniti, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të prezantimit të raportit për luftën kundër kanabisit.

Pas takimit që u mbajt larg syve të medias, kreu i demokratëve zbardhi një pjesë të bisedës me zyrtarin e lartë italian, në qendër të së cilës tha se kishte qënë çështja e narkotrafikut dhe ajo e krimit të organizuar.

“Bashkëbiseduam për gjendjen kritike të luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri dhe mora garancitë se Italia do të vazhdojë të ndihmojë në goditjen e krimit të organizuar dhe do ndihmojë Shqipërinë dhe shqiptarët për të dalë nga kjo gjendje e rendë e trafikut të drogës dhe influencës së bandave së bandave të krimit të organizuar”.

Në veçanti vlerësoj mesazhin e ministrit Minniti për të goditur organizatat e mëdha të trafikut të drogës dhe goditjen e të paprekshmëve. Ky është një mesazh domethënës që tregon se Italia ka një përkushtim serioz politik për të ndihmuar Shqipërinë në një pikë kyçe të rrugëtimit në integrimin europian”.

I pyetur nëse çështja “Tahiri”ishte pjesë e bisedës mes tij dhe Ministrit të Brendshëm italian, Basha dha këtë përgjigje:

“Nuk bëj komente për cështje të veçanta”.

Në takimin me ministrin Minniti, Basha u shpreh se kishte marrë vlerësimin e zyrtarit të lartë italian për rolin e opozitës në luftën kundër krimit të organizuar.

Tv Klan

Fjala e plotë e kryetarit të PD Lulzim Basha:

Kam patur kënaqësinë sot të takohem me Ministrin e Brendshëm italian z.Minniti të cilin e falenderova për kontributin e jashtëzakonshëm që Italia ka dhënë dhe po jep në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve në veçanti.

Bashkëbiseduam për gjendjen kritike të krimit të organizuar në Shqipëri dhe mora garancitë, të dhëna edhe publikisht, se Italia do të vazhdojë të ndihmojë në goditjen e krimit të organizuar, të ndihmojë Shqipërinë dhe shqiptarët për të dalë nga kjo gjendje e rëndë e trafikut të drogës dhe influencës së bandave të krimit të organizuar në shoqëri dhe në jetën e Shqipërisë.

Në veçanti, vlerësoj mesazhin e Ministrit të Brendshëm Minniti për gotitjen e organizatave të mëdha të trafikut të drogës dhe goditjen e të paprekshmëve.

Ky është një mesazh domethënës, që Italia ka një përkushtim serioz politik për të ndihmuar Shqipërinë në një pikë kyçe të rrugëtimit të saj drejt integrimit europian.

Mora vlerësimet për rolin e opozitës gjatë gjithë këtyre viteve, si një opozitë e përkushtuar për një kauzë të rëndësishme kombëtare, siç është lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër kthimit të Shqipërisë në një republikë të narko-trafikut, dhe natyrisht e sigurova se Partia Demokratike, unë dhe opozita, do të vazhdojmë betejën tonë në mënyrë që në Shqipëri të mos ketë organizata të krimit të organizuar të cilat bëjnë ligjin, që vendosin zgjedhjet. Të mos ketë të paprekshëm dhe drejtësia të veprojë njësoj për të gjithë qytetarët dhe të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit.