Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha mbrëmjen e së mërkurës në një deklaratë për media se njerëz të afërt me ministrin Fatmir Xhafaj dhe të vëllain e tij i kanë ofruar 200 mijë euro të afërmve të Albert Veliut, i njohur ndryshe si “Dëshmitarit X”, që ky i fundit të ndryshojë dëshminë.

Jam sonte në këtë orë të vonë të mbrëmjes para jush për të denoncuar thellimin e skandalit dhe skenarit kriminal të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt, të cilët po përdorin shtetin e kapur dhe kanë hedhur në veprim strukturat e  krimit të organizuar nën urdhrat e tyre për të të kërcënuar dhe për ti bërë presion Dëshmitarit X, shtetasit Albert Veliu dhe familjarëve të tij.

Sot të dërguarit e Fatmir dhe Agron Xhafajt, njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe e Fushë Krujës i kanë ofruar një të afërmi të Dëshmitarit X, Albert Veliu 200 mijë euro nga paratë e pista që familja mafioze Xhafaj përfiton nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera kriminale, që ai të përgënjeshtrojë deklarimet e bëra publike. Çdo përpjekje e Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës për të kërcënuar, intimiduar apo për të blerë dëshmitarin x, thjesht i zhyt edhe më thellë Fatmir Xhafajn dhe Edi Ramën në skandalin ku janë përfshirë kokë e këmbë

”, tha Basha.

Kryedemokrati kishte edhe një paralajmërim të prerë për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeministrin Rama.

Duke dënuar ashpërsisht këtë skenar kriminal, dua t’i përsëris sot Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt, paralajmërimin e prerë, se për çdo hap që hidhet për të vënë nën presion Dëshmitarin X Albert Veliun dhe familjen e tij, si dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashin, përgjegjësia do të jetë e juaja dhe do të merrni përgjigjen më të ashpër nda opozita dhe populli.

/tvklan.al