Spanjolli mbetet në planet e Leverkusen, edhe Liverpool del nga gara  

Është padyshim njeriu i momentit në merkaton e trajnerëve. Shabi Alonso mbetet objektivi i shumë skuadrave për stolin në sezonin e ardhshëm, për ta kthyer spanjollin në profilin e dëshiruar nga gjigantët e futbollit Europian.

Ecuria fenomenale në stolin e Bayer Leverkusen ka rritur pozitat e Alonsos, duke qenë në listën e dëshirave edhe të Bayern Munich. Gjithsesi, bavarezët duket se janë dorëzuar për momentin, pasi shefi i klubit, Uli Hënes ka thënë se një marrëveshje këtë verë është thuajse e pamundur.

Verdikt që konfirmon këmbënguljen e Leverkusen për t’i besuar 42-vjeçarit. Spanjolli po shijon një sezon fantastik në stolin e “aspirinave”, duke e udhëhequr drejt titullit kampion për herë të parë në histori. Me 8 ndeshje deri në fund, Leverkusen numëron 10 pikë më shumë se Bayern Munich, teksa ka garantuar vendin në çerekfinalet e Europa League dhe gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë.

Në garë për tre trofe këtë sezon, me Alonson që po shijon edicionin e tij të dytë nën drejtimin e kësaj skuadre. Shabi Alonso konsiderohet si kandidat kryesor edhe për të pasuar Jurgen Klopp te Liverpool, me këtë të fundit që ka pranuar lamtumirën në fund të sezonit.

Klan News