Berisha

Ish- Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar ndarje e re territoriale si hartën elektorale të dyshes Rama –Meta.

Me anë të një postimi në Facebook, Berisha shprehet se kjo hartë është anti-kushtetuese, diskriminuese dhe ndëshkon qytetarët.

Berisha shkruan se, “Cilido që i hedh një sy hartës Rama – Meta të ndarjes së territorit, konstaton se është shkelur çdo kriter gjeografik, demografik, ekonomik e kulturor dhe se ajo është e ndërtuar vetëm mbi kriterin elektoral dhe diskriminimin krahinor, një pazar banal ku Rama – Meta kanë ndarë Shqipërinë si plaçkën e tyre elektorale.”

Duke iu referuar ndarjes territoriale, ish- Kryeministri vlerëson se Qarku i Tiranës është i ndëshkuar nga kjo ndarje.

Sipas tij  “Kulmi i diskriminimit arrin me Qarkun e Tiranës, i cili ka 32 deputetë dhe 1/3 e popullsisë së vendit dhe është lënë vetëm me 4 Bashki, pra ka 3 Bashki më pak se Qarku i Gjirokastrës dhe 1 Bashki më pak se Qarku i Beratit, apo rreth 5 herë më pak se qarqet Vlorë, Berat, Gjirokastër, që sëbashku sjellin në Parlament gjithsej 25 deputetë dhe që janë shpërblyer me 19 Bashki.”

Berisha shkruan se ndarja territoriale është bazuar vetëm në qëllime elektorale:

“Pra ndarja Rama – Meta është thjeshtë ndarje elektorale apo harta e zonës së parë operative, e cila shpërblehet në këtë ndarje me 19 bashki apo me rreth 1/3 e bashkive të vendit. Ndarja e re territoriale zhduk nga harta 320 komuna dhe është një dhunim flagrant i Kushtetutës të Shqipërisë, e cila në interesin më të mirë të qytetarëve jua garanton komunën si njësi të qeverisjes vendore. Kushtetuta në nenin 108 pika 3 përcakton se: “Komuna dhe Bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore dhe si njësi të qeverisjes vendore kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse vendore…”.

Sipas ish- Kryeministrit, kjo ndarje është ndëshkim i rëndë për afro 1.3 milionë shqiptarëve banorë të komunave, të cilët do duhen të bëjnë dhjetëra kilometra rrugë, për të arritur në qendrën e tyre administrative, duke shpenzuar para dhe kohë.

Berisha shkruan më tej se, “fshirja e komunave nga harta, vendos në harresë përfundimtare zonat më të pazhvilluara të vendit, pasi ju heq atyre buxhetimin direkt dhe i shndërron ato në satelit jetim të qendrave urbane dhe kjo nxit shpërnguljen masive të banorëve të këtyre zonave drejt qendrave të mëdha urbane apo emigrimin jashtë vendit.

Po ashtu, kjo ndarje sipas Berishës, godet potencialin turistik të Shqipërisë.

Në mbyllje të opinionit të tij në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se; “Harta elektorale e Edvin Ramës, Ilir Metës, eshtë harta e shpërblimit të zonës së parë operative dhe e ndëshkimit të Tiranës, Fierit, Shkodrës dhe zonave të tjera të vendit.”

Tv Klan