“H.O.T” ka përfunduar xhirimet dhe ndodhet në fazën e post-produksionit, ndërsa në Tv Klan është shfaqur edhe episodi i parë. Por në këto 10 pjesë të sezonit të parë të serialit ku nuk do të mungojnë momentet që do të na mbajnë mbi gjemba, skenaristi dhe regjisori Bjordi Mezini tregon për “Rudina”, emisioni i përhershëm i pasdites në televizionin kombëtar Klan se çfarë na pret.

Momenti në fjalë luan një rol të dyfishtë: është pjesa e preferuar e tij, por na tregon edhe neve një copëz nga “H.O.T”.

Rudina Magjistari :  Jeni në post – produksion?

Bjordi Mezini : Post- produksioni që është pjesa që më streson më shumë. Sepse vjen nga një periudhë kohore shumë intensive siç janë xhirimet ku ti je aktiv pothuajse 24 orë në 24. Edhe kur pushon je gjithmonë duke menduar për xhirimet. Në një moment ndalon dhe mendja jote bie në një moment qetësie që ta prish atë rutinë. Edhe kjo vjen në momentin që duhet të fillosh fiks post –produksionin.

Rudina Magjistari :  Keni punuar dhe me ritme të shpejta?

Bjordi Mezini : Kemi punuar shumë shpejt. Projekti i serialit është shumë ambicioz. Ne donim në radhë të parë të vinte një imazh një narracion, me një linguazh kinematografik. Donim të sillnim diçka që ka potencë edhe në imazh, ku të dallohet investimi, siç është në kinema. Kjo gjëja vështirësoi produksionin sepse normalisht ke pak ditë xhirimi në dispozicion, çdo gjë ka nevojë për detajet e veta. Ke shumë aktorë ke shumë lokacione, ke shumë gjëra që e bëjnë projektin shumë intensiv edhe ishte e vështirë, por ia dolëm.

Rudina Magjistari :  Cili është moment më i bukur që kujton ti nga xhirimet? Kur të kalojë kohë edhe të kujton xhirimet e këtij seriali, cila mendon se do të jetë skena e parë që do të vijë në mendje?

Bjordi Mezini : Diku tek episodi 8 kam një skenë ku kam Ermalin, Klea Hutën dhe Jonida Vokshin. Është skena e parë ku ata të tre ballafaqohen me njëri- tjetrin dhe skena kërkonte një përqendrim të veçantë. Mbaj mend atë ditë si dita ku unë u kënaqa më shumë me performancën e aktorëve të mi. Ndjeva një ndjenjë jo vetëm midis atyre të treve por edhe me mua ndodhi një alkimi e veçantë./tvklan.al