Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe kryetari i komisionit të integrimit Genc Pollo janë përplasur verbalisht në mbledhjen e këtij komisioni duke kaluar edhe në ofeza personale.

Bushati ishte ftuar për të folur për ristrukturimin e Ministrisë, por deputetët e opozitës e pyetën edhe për çështje që kishin lidhje me krimin e organizuar. Por debati u ndez kur ministri i kujtoi Pollos se bashkëpunimi me paraardhësen e tij Majlinda Bregu kishte qenë më i frytshëm ne Komisionin e Integrimit.

Bushati: Shpresoj që të jeni në lartësinë e paraardhëses suaj, e cila ka vendosur një standart të lartë dhe të pranuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Pollo: Ju silleni si halabak.

Bushati: Kjo mund të jetë krejt e papranueshme, por ky është qëndrimi im, meqenëse doni të bëjmë koment mbi njëri-tjetrin.

Pollo: Jeni personi më i papërshtatshëm për atë post dhe për të thënë gjëra të tilla.

Bushati: Nuk lejoj askënd, as ty, as Saliun tënd, të më thojë mua rrugaç. Në rregull? Mua nuk më fyen dot Zoti Pollo. Saliu i kuq nuk e bën dot me mua. Këtë po të them.

Pas kësaj, Bushati refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve dhe la mbledhjen e komisionit. Deputetët e PD dhe LSI në komision u bënë bashkë me një deklaratë ku kërkonin të merrej masë disiplinore ndaj ministrit për Europën dhe punët e Jashtme.

 Tv Klan