Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar çështjen e mosarrestimit të të kërkuarit ndërkombëtar për trafik droge, Kelmend Balili.

Televizioni Klan ka mësuar se kreu i shtetit e ka marrë këtë vendim pas një letre të nisur nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Në letrën që Meta i ka nisur presidentit, të siguruar edhe nga Televizioni Klan thuhet se Klement Balili, një person me probleme serioze me ligjin, pavarësisht akteve procedurale apo akuzave, të përcjella apo të paraqitura nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare, ende nuk është ndaluar, për t’iu nënshtruar drejtësisë.

Meta citon edhe partnerët amerikanë, por edhe të tjerë ndërkombëtare, që kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij, si dhe moskryerjen e veprimeve të shpejta dhe efikase, nga organet kompetente shqiptare. Meta thotë se kërkesa e tij shtrohet për shkak të seriozitetit që paraqet çështja në fjalë dhe shqetësimit që ekziston për mosveprimin e institucioneve shqiptare.

“Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për këtë çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impakt në sigurinë kombëtare”.

Kelmend Balili u shpall në kërkim nga autoritetet greke që në 12 Maj të vitit të kaluar si pjesë e një rrjeti të madh të trafikut të drogës.

Interpol Tirana u njoftua në 17 Maj ndërsa dosja e plotë e Balilit prej 1700 faqesh mbërriti nga Greqia në fillim të muajit Dhjetor të 2016-ës.

Menjëherë çështja u mor në dorëzim nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka nxjerrë edhe një urdhër arresti për Balilin. Në disa prona të tij në Sarandë dhe Delvinë janë ushtruar kontrrolle, por Balili nuk është gjetur.

Për mosarrestimin e tij ka reaguar edhe Ambasadori amerikan, Donald Lu, i cili e ka quajtur një dështim të autoriteteve shqiptare.

Tv Klan