Seanca plenare maratonë e parlamentit vijon ende. Së fundmi ka pasur një debat me deputetit të PD-së, Edmond Spaho dhe zv/kryeministres Balluku. Shkak është bërë përmendja e familjes Balluku.

Edmond Spaho: Tani edhe një sqarim të fundit për zonjën Belinda Balluku, zv/kryeministren. Unë nuk jam marrë asnjëherë me familjarët e njërit apo tjetrit. Kam 30 vjet këtu, po të dalë njëri që të thotë këtu je marrë me familjarët atëherë po. Nuk thua të vërtetën kur unë qenkam marrë disa herë me familjarët e tu. Asnjëherë në botë nuk jam marrë me familjarët e tu. Më trego rastin kur kam folur këtu në seancë për familjarët e tu dhe atëherë unë të kërkoj ndjesë. Unë merrem me sjelljen tuaj politike dhe profesionale. Për këtë të paralajmërova, kujdes se e ke vënë firmën ti dhe ministrja e Financave. Ai ka qenë këtu, po të ishte burrë, e firmoste vetë. Prandaj ky ishte qëllimi im, për të thënë mos të kalosh në një histori po aq të hidhur sa më përpara. As më duhet pastaj njerëzit e familjes tuaj, janë të nderuar, as i njoh, as me njohin dhe nuk po merrem me këtë çështje. Vetëm po të them, kujdes se ke vënë firmat. Nesër do shkosh ti atje se e ka praktikë Edi Rama këtë, nuk firmos asgjë me zarar.

Belinda Balluku: Sapo e përmende familjen time përsëri zoti Spaho dhe nuk e di a do më kërkosh falje se më tregove që do kaloj edhe një herë një histori të hidhur. Mondi, fokus tek familja jote, sepse ke gjithë ditën që rri këtu, u bërë hero, do marrësh medalje shpresoj nga Saliu nesër në mëngjes, por merru me familjen tënde. Nuk të ndërpreva pavarësisht se fole gabim. Ja ku e përmende prapë familjen time dhe e ke përmendur dy seanca më parë, kur the që zv/kryeministrja që keni aty ka bërë krime lufte, etj etj. Tani i nderuar, ta sqarova, flet nga vendi sepse nuk arrin të kontrollosh veten dhe në këtë moshë është gabim mos ta kontrollosh veten sepse detyrohemi dhe ne të humbim respektin. Shihe si flet nga vendi, është e tmerrshme mos të kontrollosh veten. Sapo më përmend prapë familjen time dhe më tregove historinë e hidhur. Historitë e hidhura të familjes sime i di gjithë populli shqiptar dhe di sa vite burg dhe internime ka bërë familja ime, mbi 130 vite. Ti nuk ke as etikën, as burrninë dhe as tagrin të përmendësh familjen Balluku. Ti duhet të heshtësh njëherë e përgjithmonë se nuk më bënë punë as falja jote. Falje nga njerëzit që nuk e dinë se ku e kanë vendin nuk i hyjnë në xhep askujt. Dhe ti Ina mos e duartrokit. Mos i duartrokit se marrin zemër se janë njerëz që nuk thithin shumë se po të kishin thithur ndopak, sot ia thashë një herë duhet ta kishte mbyllur. Vazhdon dhe del këtu më thotë mos bëj gabimet unë se i pritet barku atij për gabimet e mia. Ai e ka fiksimin të përmendë historinë e familjes sime. Familja ime është më e nderuara në Tiranë. Nuk e keni idenë sa krenare jam unë për mbiemrin që mbaj.

Edmond Spaho: Ne flasim nga vendi sepse ju nuk të jepni të drejtën e fjalës. Ndihemi keq dhe gjatë gjithë ditës sot… ja e shikoni këtë që nuk ndërpret.

Belinda Balluku: Vazhdo, unë nuk do të të le se do bëj çfarë ke bërë ti që të kuptosh çfarë ke bërë.

Edmond Spaho: Historia jote Belinda nuk është histori familjare, por politike. Të kërkoj ndjesë ty me kushtin që ti t’i kërkosh ndjesë të gjithëve familjarëve të aryte që ka vrarë dhe ka çuar në internim dhe nëpër burgje gjyshi jot.

Ermonela Felaj: Zoti Spaho uluni dhe mos e bëni më këtë sjellje në kuvendin e Shqipërisë ju dhe askush tjetër. Nuk është as etike dhe as dinjitoze që këtu të invokoni familjarë, fate dhe të tyre. Uluni ju lutem, mos e prishni zhvillimin e rregullt të seancës./tvklan.al