“S’keni parë asgjë akoma!”

Ky ishte i vetmi koment që Saimir Tahiri bëri pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit, që i hap rrugë arrestimit të tij. Interesit të madh të gazetarëve, Tahiri iu përgjigj fare shkurt duke huazuar shprehjen e famshme të Kryeministrit Edi Rama. 

Ish – Ministri i Brendshëm doli nga banesa e tij rreth mesditës, teksa Prokuroria i kishte nisur Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për kontrollin e plotë të banesës. Gjatë paradites, në pallatin ku banon ish-ministri u vunë vë re lëvizje dhe prani e rojeve të sigurisë.

Ndërsa në orët e pasdites, simpatizantë të Partisë Socialiste u mblodhën pranë banesës në mbështetje të deputetit socialist.

Përmes një statusi në rrjetet sociale Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Rama se po blen kohë për të shkatërruar provat që rëndojnë mbi ish – Ministrin. Referuar denoncimit të një qytetari, Basha thotë se në shtëpinë e Tahirit janë parë shumë njerëz, mes të cilëve edhe Ernest Dimashi, Drejtori i IT, i cili  po pastron laptopin dhe celularët e Tahiri.

Tv Klan