Reshjet intensive të borës së fund të prillit, frikësuan fermerët, të cilët në pak kohë mund të humbisnin prodhimin, por dëbora u shkri shpejt dhe për fatin e tyre të mirë temperaturat nuk zbritën në vlera negative.

“Sa i përket fushës së Dibrës ajo ka 1400 hektarë apo rreth 940 mijë rrënjë të mbljella me drurë frutorë. Sipas specialistëve dëbora e djeshme nuk ka shkaktuar probleme dhe fermerët mund t’i gëzohen prodhimit të mbarë”, raporton gazetari Neki Feta nga Dibra

Në pjesën fushore drurë frutorët kanë mbaruar procesin e lulëzimit dhe të lidhjes së frutit, ndërsa rreziku nuk ka kaluar ende në zonat e larta mbi 1200 m mbi nivelin e detit, ku mund të ketë ngrica sërish ditët në vijim, pasi ka prezencë të borës.

Osman Begu, specialist i bujqësisë, mendon se mbi 90% e prodhimit ka shpëtuar, kjo për shkak se edhe sipërfaqet më të mëdha të fermave janë në fushën e Dibrës.

Osman Begu, specialist bujqësie: Në lartësitë mbi 1200 metra edhe mund edhe të rrezikohen ndoshta nga ftohja e motit që mund të vijë në ditët që pasojnë ndërsa këtu vetëm nëse do të ketë temperature -3 apo -4 gradë mund të rrezikohen.

Shprehja “Jo çdo e keqe vjen vetëm për keq” i shkon situatës së djeshme, me borën intensive pranverore, pasi jo vetëm që nuk shkaktoi dëme, por mbushi malet me borë, duke shtuar jetëgjatësinë e burimeve ujore malore.

Klan News