Donald Trump doli në gjyq ditën e sotme në lidhje me një prej çështjeve penale të profilit më të lartë në historinë e SHBA-së. Ai është ish-Presidenti i parë që përballet me akuza penale pasi prokuroria thotë se ka falsifikuar të dhënat e biznesit për të mbuluar pagesën që iu bë aktores së pornos Stormy Daniels me qëllim që të heshte.

Ditën e sotme, gjykata dëgjoi deklaratat hapëse të organit të akuzës dhe mbrojtjes. Sipas prokurorisë, Trump ka ndikuar në zgjedhjet e 2016 duke shtuar se është përdorur skema “kap dhe vrit” për të ndaluar së publikuari historinë për fëmijën jashtë martese.

Sipas prokurorit Matthew Colangelo, në Gusht të vitit 2015 ka pasur një takim në “Trump Tower” me Michael Cohen dhe David Pecker, i cili ishte në krye të American Media (AMI), një botues i disa revistave dhe tabloidëve, mes tyre edhe National Enquirer.

“Puna e Cohen-it ishte të zgjidhte problemet e të pandehurit. Ai ishte ndërmjetësi i Trump. Së bashku bashkëpunuan për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve dhe Pecker do të shërbente si “sytë dhe veshët” e të pandehur, të mblidhte informacion që mund të ishte i dëmshëm dhe ta raportonte atë tek Cohen. Ata ranë dakord që AMI do të përdorte të njëjtat publike për të sulmuar kundërshtarët politikë të Trump”, tha Colangelo.

David Pecker

Ai vijoi më tej duke akuzuar Trump, Cohen dhe Pecker se kanë përdorur praktikën “kap dhe vrit”. Kjo ndodh kur një botues blen një histori, kërkon që të përfshihet në një marrëveshje sekreti mes palëve dhe më pas mohon që ta publikojë historinë në fjalë.

Qëllimi ishte ta parandalonin që [historia] të dilte në shesh”, tha prokurori.

Më tej ai shtoi: Mësuan se një ish-roje po përpiqej të shiste informacion në lidhje me një fëmijë jashtë martese. Pecker kontaktoi menjëherë me Cohen dhe Cohen i tha Trump, i cili i kërkoi ta zgjidhte. Ata negociuan një marrëveshje 30 mijë dollarëshe për të blerë historinë. Pecker nuk po vepronte si botues, por si bashkëpunëtor. Kur AMI përcaktoi më vonë se historia nuk ishte e vërtetë, Cohen i tha Pecker-it që mos ta ndërpresë marrëveshjen me ish-rojen deri pas zgjedhjeve të 2016, kur nuk mund të dëmtonte më fushatën”.

Stormy Daniels

E në lidhje me këto akuza ka reaguar mbrojtja e Trump që pikë së pari thanë se nuk shohin asnjë problem me faktin e përpjekjes për të ndikuar në zgjedhje.

“Më duhet t’ju bëj një paralajmërim: Nuk ka asgjë të keqe të përpiqesh të ndikosh në zgjedhje. Quhet demokraci. Ata po përpiqen ta përshkruajnë këtë si një krim, por do të dëgjoni se nuk është kështu. Hyrja në një marrëveshje sekreti mes palëve është krejtësisht e ligjshme. Njerëzit që janë shumë të pasur ose të famshëm hyjnë në marrëveshje të tilla rregullisht dhe nuk ka asgjë të paligjshme. Kur zonja Daniels kërcënoi se do ta bënte publike ishte shumë pranë zgjedhjeve dhe ishte një përpjekje për të vënë në siklet Presidentin Trump dhe familjen e tij. Asokohe kishte akuza të llojeve më të turpshme ndaj Presidentit Trump”, tha avokati i tij, Todd Blanche.

“Kjo shkelje e të dhënave të biznesit, këto 34 akuza janë në të vërtetë vetëm 34 copa letre, çeqet e të cilave janë krijuar për shkak të shënimit të faturave dhe regjistrave… asgjë nga to nuk është krim”, tha ai më tej.

Jashtë ambienteve të gjyqit foli edhe vetë Donald Trump i cili tha se puna e tij duhej të ishte fushata për momentin.

“Kjo është ajo që po përpiqen të bëjnë, të më heqin nga fushata për çeqe që i janë paguar një avokati. Duhet të isha në Georgia, duhej të isha në Florida tashmë, duhej të isha në vende të ndryshme duke bërë fushatë, por jam ulur këtu dhe kjo do të zgjasë shumë kohë. Është shumë e padrejtë kjo që po ndodh dhe unë duhet të lejohem të bëj fushatë”, tha ai.

Trump dhe avokati i tij, Todd Blanche

Ish-Presidenti i Amerikës ngarkohet me 34 akuza për falsifikim të dokumenteve të biznesit si pjesë e një rasti për t’i blerë heshtjen aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels. Ai akuzohet se ka paguar avokatin e tij të atëhershëm Michael Cohen, para zgjedhjeve të 2016 për të mbuluar lidhjen e dyshuar.

Cohen ia pagoi shumën Daniels në emër të Trump që të mos dilte në publik në lidhje me deklaratat e saj për marrëdhënie seksuale me ish-presidentin më shumë se dekadë më parë. Prokurorët thonë se pagesat e Cohen janë regjistruar në mënyrë të rreme si tarifa ligjore. Ata e kanë përshkruar atë si pjesë të një skeme për të “varrosur” historitë që Trump frikësonte se do t’i prishnin punë në garën presidenciale.

Michael Cohen

Trump ka pranuar se ka rimbursuar Cohen për pagesën dhe se ajo ishte bërë për të ndaluar Daniels që të dilte publikisht në lidhje me pretendimet e saj. Më herët, Trump ka thënë se kjo nuk kishte të bënte me fushatën. Avokatët e ish-presidentit janë shprehur më herët se pagesa kishte për qëllim të kursente veten dhe sikletin e familjes së tij, jo për ta ndihmuar që të fitonte zgjedhjet. Trump është deklaruar i pafajshëm për këtë rast dhe e ka mohuar aferën./tvklan.al