Në inspektimin e dytë publik në stadiumin e ri kombëtar, Presidenti i Federatës së Futbollit, u shfaq i kënaqur me ecurinë dhe cilësinë e punimeve. Teksa ka përfunduar ndërtimi i thuajse gjysmës së projektit, Duka garantoi se çdo gjë do të përfundojë brenda afatit.

Federata Shqiptare e Futbollit konkurroi me projektin e këtij stadiumi për të pritur Superkupën e Europës për 2019, por nuk fitoi, gjithsesi Duka e sheh gotën gjysmë plot.

Për arkitektin Italian Marco Casamonti arena kombëtare do të jetë një arsye krenarie për shqiptarët.

Marco Casamonti / Arkitekt

Do te jetë një krenari për shqiptarët pasi do të ndërtohet një vepër që do të jëtë model për të tjerë në mbarë botën. Tashmë pjesa tjetër e botës do të shohë me admirim shqipërinë.

Në mënyrë që ekzaltohet spektakli që dhuron loja e futbollit, federata kishte si kërkesë të sajën që publiku të ishte sa më pranë fushës.

Marco Casamonti / Arkitekt

Në këtë stadium spektatorët do të jenë pranë fushës dhe mund t’i mbështesin skuadrat ashtu siç ndodh edhe në stadiumet e tjera të botës. Do të jetë si një teatër. Spektatoret do të jenë thuajse në fushë, për më tepër, të gjitha pjesët e shkallëve të tifozerisë do të jenë të mbuluara.

 Sipas kompanisë ekzekutuese të projektit, ka përfunduar pjesa më e madhe e ndërtimit që i takon hedhjes së betonit dhe punimeve nën tokë. Tashmë punimet do të vazhdojnë me konstruksione metalike në përfundim të të cilave do të marrë formë stadiumi i ri kombëtar.

Tv Klan