Një grua e dyshuar për vrasjen e një 8-vjeçareje në jug të Meksikës është rrahur për vdekje nga një turmë njerëzish që protestonin nxitur nga krimi i rëndë. Protestat e dhunshme nisën pasi trupi i Camila Gomez u gjet pranë një rruge në afërsi të qytetit Taxco të enjten. Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamjet ku edhe oficerë policie shikojnë sesi si një grua që besohet se është fajtore për vrasjen rrihet në mënyrë brutale në mes të ditës.

*Kujdes, pamjet më poshtë janë shqetësuese

Edhe dy burra, të dyshuar nga autoritetet si të përfshirë në ngjarje u sulmuan, por ata mbijetuan.

*Kujdes, pamjet më poshtë janë shqetësuese

Camila u zhduk të mërkurën pasi hyri në shtëpinë e një fqinji për të përdorur pishinën e tyre. Mamaja e saj shkoi në polici disa orë më vonë pasi mori një mesazh në celular ku kërkohej shpërblim për t’i liruar vajzën. Ajo tha se i dha policisë imazhe nga kamera e sigurisë së një fqinji tjetër duke treguar shtëpinë ku kishte shkuar vajza, por autoritetet i injoruan thirrjet për të vepruar.

Trupi i 8-vjeçares u gjet në një rrugë të enjten. Më vonë autoritetet thanë se po hetonin një grua dhe dy burra për vrasje të rëndë. Të afërmit e Camila-s iu bashkuan banorëve të Taxco-s për të protestuar kundër policisë dhe kërkuan drejtësi për një rast që ka shkaktuar zemërim në Meksikë, një nga vendet me numrin më të lartë të dhunës kundër grave.

Protestuesit përmbysën makina, bllokuan një rrugë dhe më pas rrethuan tre personat që dyshohet se vranë vajzën e vogël. Sa i përket vdekjes së gruas në fjalë autoritetet po e hetojnë si vrasje. Ndërkohë prokuroria tha se policia ka arrestuar deri më tani 1 person për vdekjen e Camila-s. Qyteti i vogël ndodhet 170 kilometra larg nga kryeqyteti Mexico City dhe ndodhet në një vend që është shumë i prekur nga krimi i organizuar.

Turmat e tilla kundër njerëzve të dyshuar për krime kundër fëmijëve nuk janë të rralla në Meksikë. Në qershor të vitit 2022 një politikan u rrah për vdekje nga një turmë prej 200 vetësh pasi në internet u përhapën akuzat se ai ishte përfshirë në një rrëmbim fëmijësh. Në Nëntor të vitit 2018 një pronar dyqani në Puebla u dogj për vdekje pasi në WhatsApp qarkulluan thashetheme të ngjashme./tvklan.al