Projektligji për agjentët e huaj ka nxjerrë në rrugët e Gjeorgjisë qytetarët të cilët e kundërshtojnë atë. Efektivët e policisë përdorën ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të cilët ishin mbledhur jashtë parlamentit të martën vonë dhe në orët e para të së mërkurës.

Pasi u shpërndanë nga parlamenti, rreth dy mijë protestues vazhduan të bllokojnë rrugën kryesore të Tbilisit, duke e bllokuar atë me tavolina kafenesh dhe kosha plehrash.  

Më herët, efektivët e policisë u konfrontuan fizikisht me disa protestues të cilët po përpiqeshin të pengonin ligjvënësit të dilnin nga hyrja e pasme e parlamentit. Projektligji ka rritur përçarjet në vendin e Kaukazit jugor, ku opozita, shoqëria civile, personazhe të famshëm, por edhe presidenti kritikojnë partinë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.

Propozimi, i ashtuquajtur “Ligji për agjentët e huaj”, ashpërson rregullat për mediat dhe organizatat që marrin financime të huaja. Opozita e ka cilësuar atë “ligj rus”, duke e krahasuar me një ligj të ngjashëm për agjentët e huaj, të cilin Kremlini e ka përdorur për të goditur disidentët.

Klan News