Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka sekuestruar dyqane e troje në Tiranë dhe Elbasan, si edhe dy shoqëri private në emër të shtetasit Arben Lamçe.

Ky person është dënuar në Itali me 14 vjet burgim, për akuzat e shfrytëzimit të prostitucionit. Ai është arrestuar në Elbasan dhe ekstraduar në vitin 2011, në Itali, ku po vuan dënimin  dhënë nga Gjykata e Breshias. Pas ekstradimit, nisi fillimisht hetimin për pasurinë e tij.

Nga ky hetim rezultoi se Lamçe  kishte disa prona të paluajtshme dhe shoqëri tregtare. Por, disa muaj pas prokuroria e Elbasanit pushoi hetimin për shkak se autoritete italiane nuk sollën letër-porositë e kërkuara.

Gjithsesi, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin ndaj të dënuarit, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”. Nga hetimi u faktua  se Altin Lamçe ka të regjistruar në emër të tij disa troje dhe lokale në Tiranë dhe Elbasan.

Ai këto pasuri nuk i justifikonte me të ardhurat që merrte duke ngritur dyshime se ishin produkt i shfrytëzimit të prostitucionit.  Po ashtu, ai është administrator i “Elba Import”, një kompani private transporti.

Ndërkohë, edhe një kompani tjetër, “Elba Beton”, ishte krijuar prej tij dhe më pas i ishte kaluar në pronësi një tjetër personi. Ky veprim rezultoi të ishte fiktiv. /TV KLAN