Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët në Itali, Gjermani dhe Greqi ka bërë të mundur ekstradimin drejt Shqipërisë të tre personave të cilët akuzohen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim.

Sipas asaj që njofton policia bëhet e ditur se konkretisht është ekstraduar nga Italia 42-vjeçari S. P. i dënuar me “arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai akuzohet se në bashkëpunim me personin Gj. L., gjatë periudhës 2017-2018, ka shitur rreth 67 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Gjithashtu nga Gjermania është ekstraduar 43-vjeçari A. Gj., banues në Shkodër, po ashtu i dënuar me “arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Bëhet e ditur se ai akuzohet se ka bashkëpunuar për prodhimin dhe shitjen e 20 kilogramëve lëndë narkotike kanabis sativa, që u sekuestrua nga Policia, në fshatin Grudë Fushë, në vitin 2021.

Ndërkohë nga Greqia bëhet e ditur se është ekstraduar 65-vjeçari B. K. alias Z. K., pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.

Në njoftim theksohet se shtetasit e ekstraduar i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.


Njoftimi i plotë:

Ekstradohen nga Italia, Gjermania dhe Greqia, 3 shtetas të akuzuar/dënuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim.  

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, Gjermani dhe Greqi, me objektiv lokalizimin, vënien në pranga dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u kryen ekstradimet:

-nga Italia në Shqipëri, i shtetasit S. P., 42 vjeç. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar 42-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Gj. L., gjatë periudhës 2017-2018, ka shitur rreth 67 kg lëndë narkotike cannabis sativa;

-nga Gjermania në Shqipëri, i shtetasit A. Gj., 43 vjeç, banues në Shkodër, pasi Gjykata e Shkallës se Parë e Juridiksionit të Pergjithshëm Shkodër i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar për prodhimin dhe shitjen e 20 kilogramëve lëndë narkotike cannabis sativa, që u sekuestrua nga Policia, në fshatin Grudë Fushë, në vitin 2021.

-nga Greqia në Shqipëri, i shtetasit B. K. alias Z. K., 65 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.

Shtetasit e ekstraduar i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.


/tvklan.al