Eljona na rrëfen historinë e njohjes së prindërve të saj.

“Ata janë njohur në spital. Mami ishte me tumor në kokë, por edhe pse u fejuan, u martuan, ajo nuk i tregoi babit që doktori i kishte thënë se kishte vetëm 5 vite jetë, edhe pse ajo jetoi 6 vjet. Mami dinte ta mbulonte shumë mirë, nuk e tregonte edhe kur i dhembte koka. Vitin e fundit, kur erdhëm në Tiranë, sa iku babi në punë i thonë se Bedria vdiq. Nuk e di si e zbuloi të vërtetën babi. E vuajti shumë, vuajti dhe me tre vajzat e tij sepse na çonte në Fier, te gjyshja në fshat. Për 1 vit, deri sa u martua, e bëri Fierin-Tiranë sepse na merrte e na çonte.”

Eljona tregon se gjyshi nga ana e mamit ka qenë ai që ka insistuar që i ati i saj të martohej sepse duhej të mendonte për vajzat e tij. Familja e Bedries gjeti nusen, e cila ishte e divorcuar dhe kishte dy vajza. Eljona rrëfen se nuk e dinte për humbjen e të ëmës deri në klasën e 5-të, edhe pse njerëzit shfaqnin mëshirë për to.

Arditi – Bënte dallim njerka juaj mes fëmijëve të saj dhe jush?

“I vetmi dallim ishte se ne nuk kuptonim pse kishim aq shumë gjyshër dhe dyshonim. Normal që si nëna nuk të trajton njeri.

Gjatë muajve të verës babi na çonte në fshat tek xhaxhallarët. Atje ishte një dashuri shumë e madhe. Fillova të jetoj atje, motra e madhe bëri klasën e 6-të, e dyta të 7-ën dhe unë i thash babit pse të mos e bëja dhe unë të 8-ën. Babi e priti shumë keq sepse motra e madhe u martua në fshat.”

 Arditi – Të treja ju u martuat. Kush jua gjeti bashkëshortin ty dhe motrës së madhe?

“Xhaxhallarët.”

Arditi – Po motrës së dytë kush ia gjeti?

“Babi këtu.”

Arditi – Pse e ke thirrur vjehrrën e motrës së dytë këtu sot?

“Motra ka 15 vjet që s’ka ardhur më tek ne dhe në 25 mars patëm vitin e babit. Mami ka ikur kur ishte 25 vjeç ndërsa babi 59 vjeç. Ajo më tha që nuk do të shiheshim më dhe vetëm zëri do të na lidhte. Kur vdiq babi jemi takuar më shpesh, por më para kishim rreth 2-3 vjet. Ajo nuk ka ardhur asnjëherë tek ne në Fier, vetëm ne kemi ardhur 2 herë.”  

Eljona ka ftuar Bajamen, vjehrrën e motrës së dytë në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E diela shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, pasi mendon të krijojë aleancë me të, në mënyrë që të nxisin Luljetën të shkojë të takojë motrat.

“Më duket se është e dhimbsur sepse kam biseduar me të dhe kam menduar t’ja kërkoj publikisht këtë gjë. Ndoshta preket dhe ajo si nënë, se edhe ajo ka vajza.”

Bajamja ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” në “E diela shqiptare” dhe vjen në studio.

Arditi – Çfarë të ka sjellë sot këtu?

Bajamja – Ku di gjë unë e shkreta, s’di gjë hiç.

Arditi e ngacmon në lidhje me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.

Arditi – Kalojnë vitet dhe ai çuni që të shikonte fshehurazi ka ardhur sot të të thotë “ah moj Bajame…”

Bajamja – Jo jo! S’e kam hiç ashtu. S’e di kush është por çun s’kam pas hiç. Ah mor Ardit, qafsh mu! Jo jo s’më mbushet mendja hiç.

Arditi – Ti s’di gjë se ai nuk ta ka shprehur kurrë. Ai do vetëm që ta dish dhe të bëjë një fotografi përqafë me ty dhe kaq.

Bajamja – Foton ta bëjë ai, patjetër që…

Bajamja shikon në ekranin që ndodhet tek muri dhe kur shikon Eljonën shprehet: “Qyqaaaaaaa! A më qafsh!”

Bajamja – Është motra e nuses së çunit, Lona. Ai qenka çuni, a si? Qyqa, qyqaaaa. Ah moj Lon që më ke prurë këtu ti mu.

Eljona – Tek unë e di që nuk të shkonte mendja.

Bajamja – Jo, për Zotin jo! As që më shkonte në mend që ta bësh ti.

Eljona – Unë dua të të jap një mesazh. Të falënderoj që e ke mbajtur Lulin pranë, që e ke respektuar, që i je gjendur si nënë. Mesazhi im është që Luli të vijë të na vizitojë, të rrimë bashkë.

Bajamja – Posi, moj ti. Unë s’e kam ndaluar Lulin, ajo si të dojë. Unë e sjell kur ta doni. Shumë faleminderit për surprizën që na ke bërë.

Eljona – Të zgjodha ty, nga të tre pjesëtarët e familjes se di të komunikoj me ty, t’i di ato telat.

Momente të shumta gazmore mes Bajames dhe Arditit, i cili i thotë se arsyeja se pse Eljona e ka ftuar është që të krijojnë një aleancë që të nxisin Luljetën të shkojë të takojë motrat.

Bajamja – Unë i kam thënë për Zotin, hajde që të shkosh por ajo thotë më zë makina. Ç’a të them unë e shkreta më?

Arditi – I njeh Luli nipërit dhe mbesat?

Bajamja – Po, si s’i njeh.

Eljona – Vetëm me anë të fotografive. Të madhen e ka takuar, por dy të tjerët nuk e besoj, kanë folur.

Bajamja – Për ta çuar e çoj, nuk e kam problem.

Arditi – Si shkon me Lulin?

Bajamja – Mirë, si të shkoj keq me nusen e djalit.

Vazhdon humori mes Arditit dhe Bajames, e cila është shumë në siklet dhe nuk di çfarë të thotë.

Eljona shkon të përqafojë Bajamen dhe Arditi e falënderon për gëzimin që solli në studion e “E diela shqiptare”./tvklan.al