Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, thotë se akuzat që, Perandoria Osmane ka kryer gjenocid kundër armenëve rreth një shekull më parë, po përdoren për t’i bërë shantazh Turqisë.

Disa ditë pasi Parlamenti i Gjermanisë miratoi rezolutën me të cilën vrasjet e armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore cilësohen si gjenocid, Erdogan ka kërcënuar se me divorc, në lidhje me marrëdhëniet me BE-në.

“Ose do të gjejmë zgjidhje për problemet tona në mënyrë korrekte, ose Turqia nuk do të jetë barrierë në linjën e parë të problemeve në Evropë”, tha Erdogan, duke iu referuar marrëveshjes BE-Turqi, për ndaljen e fluksit të emigrantëve.

Nga shumë historianë dhe disa shtete, masakra dhe largimi i afro 1.5 milionë armenëve nga Perandoria Osmane, gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, konsiderohet si gjenocid.

Turqia e kundërshton këtë vlerësim duke thënë se armenët vdiqën në numër shumë më të vogël, për shkak të konfliktit civil, e jo për shkak të përpjekjeve të planifikuara të qeverisë otomane për asgjësimin e armenëve, që ishin minoritet i krishterë.

/tvklan.al