Fondi Monetar Ndërkombëtar ka komentuar për herë të parë në mënyrë të detajuar buxhetin dhe paketën fiskale  2017, që pritet të miratohen në parlament.

Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN në Shqipëri, Jens Reinke thotë në një intervistë për Televizionin Klan se është konsultuar me qeverinë dhe ka rënë dakord, si për buxhetin ashtu edhe me politikat e reja fiskale.

FMN thotë se bie dakord përgjithësisht për kuadrin e përgjithshëm fiskal, por ka disa sugjerime për qeverinë, se ku duhet të orientohet rritja e pagave.

Përsa i përket detyrimeve të prapambetura në Tatime dhe Dogana të biznesve, FMN thotë se qeveria duhet të ndajë qartë se cilat duhet fshirë dhe cilat jo. Për detajet teknike, se si mund të mblidhen këto detyrime, FMN thotë se është në bisedime me financat.

Si sfidë në ekonominë shqiptare FMN ngre sërish çështjen e kredive me probleme dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Lidhur me përfundimin në Shkurt të programit aktual që ka me qeverinë shqiptare, FMN thotë është gati të diskutojë një program tjetër me qeverinë që do dalë nga zgjedhjet e Qershorit, por sipas përfaqësuesit të Fondit Monetar, këshillat dhe asistenca teknike për qeverinë shqiptare nuk do të mungojnë.

1

Intervista e plotë e Përfaqësuesit të Përhershëm të FMN në Shqipëri, z.Jens Reinke për Televizionit Klan.

1 – Z. Reinke, kur ka mbetur edhe afro një muaj nga mbarimi i këtij viti, çfarë mendimi keni për ecurinë ekonomike 2016, a mendoni se janë përmbushur objektivat e qeverisë në këtë drejtim?

z. Jens Reinke:

“Deri tani ka qenë një vit i mirë, rritja ekonomike ka filluar të rigjallërohet, objektivat fiskale janë arritur, inflacioni po kthehet në objektiv, sigurisht ka edhe një muaj përpara se viti të përfundojë, por deri tani duket sikur gjërat janë në drejtimin e duhur.

2 – Çfarë mendoni se duhet përmirësuar vitin që vjen?

z. Jens Reinke: 

“Ka disa dobësi në ekonominë shqiptare. Por iniciativat e duhura kanë filluar tashmë. Një gjë që dua të përmend është Reforma në Drejtësi dhe ne të gjithë shpresojmë tek zbatimi i suksesshëm i Reformës në Drejtësi, e cila do të ndihmonte për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të tërhequr mes të tjerave, më shumë investime. Gjithashtu, përsa i përket planit për reduktimin e kredive me probleme, ai është duke u zbatuar dhe me kalimin e kohës duhet të ndikojë, që kreditimi të rritet dhe kjo të ndihmojë aktivitetin ekonomik”.

3 –  Qeveria tashmë ka hartuar edhe buxhetin dhe paketën fiskale 2017, për të cilën thotë se është konsultuar edhe me FMN, çfarë mendimi keni?

z. Jens Reinke: 

“Ne kemi rënë dakord me qeverinë për politikat kryesore dhe treguesit kryesorë që përkufizojnë buxhetin, të cilët mundësojnë një konsolidim fiskal, duke siguruar gjithashtu që ka burime të mjaftueshme për të realizuar investimet dhe për të kryer shpenzimet e nevojshme sociale. Tani është e rëndësishme që ky buxhet të kalojë në parlament dhe të zbatohet vitin tjetër.”

4 – A keni pika që nuk bini dakord me qeverinë, çfarë duhet hequr apo shtuar në paktën fiskale 2017?

z. Jens Reinke: “

Biem dakord përgjithësisht për kuadrin e përgjithshëm fiskal ndërsa përsa i përket shpenzimeve në mënyrë të detajuar ato vendosen nga qeveria. Edhe përsa i përket pagave, ne ramë dakord që një rritje e moderuar e pagave dhe pensioneve është e justifikuar, madje e nevojshme, por ne do kishim preferuar që kjo të ishte bazuar mbase në një strategji që merrte parasysh konkurueshmërinë dhe nevojën, që ka qeveria për të tërhequr punonjës të kualifikuar në disa pozicione të caktuara që kërkojnë një set të caktuar aftësish profesionale. Ndoshta në këtë aspekt do të kishte qenë më mirë që rritja e rrogave të përputhej me  aftësitë specifike të kërkuara për një vend pozicion të caktuar pune, se sa të ishin bërë dhe do të ishin dekurajuar premtimet e bëra për rritje rrogash, në një nivel të caktuar për një grup të gjerë”.

– Kjo do të thotë se rritja e pagave duhej të ishte bërë për kategori të caktuara ?

z. Jens Reinke: 

“Po jap një shëmbull. Qeveria ka probleme të marrë në punë njerëz ekspertë për teknologjinë  e informacionit apo përshembull në ekspertizë juridike. Në këto pozicione specifike, përshembull rrogat nuk janë konkuruese mjaftueshëm për të tërhequr specialistë të zotë apo të përgatitur. Bazuar në këtë analizë duhej të ishte bazuar edhe vendimi për rritjen e rrogave dhe jo të ishin rritur rrogat për disa lloj pozicionesh në të cilat qeveria nuk ka vështirësi për të marrë në punë njerez.

S’dua të diskutoj për kategori të veçanta. Ajo që po thoja duke marrë shembullin e specialistëve të teknologjisë se informacionit, të cilët punojnë kudo, në polici etj. Është e vështirë për t’i marrë në punë, për të gjetur specialistë të aftë, për t’i marrë në punë dhe gjithashtu është e vështirë për t’i mbajtur në punë, pra kjo tregon se pagat në këtë sektor nuk janë konkuruese mjaftueshëm sa për të tërhequr specialistë të zotë. Vendimi duhej të ishte marrë mbi këtë lloj analize, të nisur më shumë nga të dhënat dhe vështirësitë konkrete të marrjes në punë të njerëzve se sa arsyetime të tjera politike, premtime të tjera politike për kategori të caktuara, që është gjithashtu në rregull, është vendim i qeverisë, por thjeshtë do të kishim preferuar që arsyetimi të ishte marrë mbi këtë lloj arsyetimi”.

5 – Përsa i përket pritshmërive për të ardhurat, a mendoni se qeveria do të realizojë objektivin vitin e ardhshëm?

z.Jens Reinke:

“Ky parashikim që është dakordësuar me qeverinë, është bërë bazuar mbi të dhënat më të fundit, të vëna në dispozicion. Ne, ashtu si qeveria, do monitorojmë zhvillimet që mund të ketë shkaqe të jashtme që mund të ndikojnë në mbledhjen e të ardhurave, do t’i monitorojmë. 

6 – Ju keni shprehur rezerva më parë për përjashtimet tatimore, çfarë duhet reduktuar konkretisht?

z. Jens Reinke:

“Nuk mendoj se është koha për të diskutuar për një politike fiskale për të ardhmen, ne sapo kemi rënë dakord për një paketë fiskale dhe për një buxhet për vitin tjetër”.

7 – Si ju duket shpërndarja e buxhetit i 2017? A mendoni se në një vit zgjedhor ka ndonjë rrezik?

z. Jens Reinke:

“Shpërndarja e fondit të buxhetit është një shpërndarje e bazuar mirë mes nevojave dhe  burimeve të vlefshme, sigurisht që mund të ketë presione në një vit elektoral, por ne kemi garancinë e autoriteteve fiskale që buxheti do të zbatohet në mënyrë rigoroze”.

8 – Në Shkurt 2017, ju përfundoni programin aktual që keni me qeverinë, përfaqësues të qeverisë kanë thënë se nuk do të ketë një marrëveshje të re të tipit, të Artikullit Tre, pra një marrëveshje detyruese kushtëzuese, por një marrëveshje të bazuar në Artikullin Katër, pra thjeshtë një monitorim dhe këshillim, a mendoni se kjo është gjëja e duhur?

z.Jens Reinke:

“Roli i FMN është gjithmonë një rol konsultativ dhe vendimet poltike në fund të ditës gjithmonë merren nga qeveria. Kur të mbarojë programi aktual ne do të vazhdojmë të japim këshillat tona për politikat ekonomike dhe t’i ofrojmë asistencë teknike qeverisë. Ne kemi asistencë teknike në shumë fusha, ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë në këtë drejtim, kur të përfundojnë zgjedhjet, të jetë formuar një qeveri nga zgjedhjet, neve jemi gati të diskutojmë një program tjetër. Është e pamundur që të mendosh një marrëveshje tjetër përpara se të përfundojnë zgjedhjet, sepse është e pamundur të diskutohet për një marrëveshje të re me qeverinë që po shkon në një proces zgjedhor për çështje muajsh, por është e rëndësishme të theksohet se nuk ka arsye për t’u shqetësuar, ky program ka qenë i suksesshëm në shumë drejtime. Ka shumë gjëra që garantojnë se rruga e afatmesme e konsolidimit do të vazhdojë. Në radhë të parë ka një ligj të ri të buxhetit që vendos objektivat e konsolidimit fiskal dhe vendos parimet e zbatimit të buxhetit, ka një objektiv për borxhin, të cilit i qëndrohet, ka edhe një buxhet të vitit 2017 që konsolidohet në objektivat fiskale dhe mund të them që qeveria ka patur një rekord shumë të mirë të zbatimit të programit dhe arritjes se objektivave fiskale”.

10 – Çmendim keni për nismën e qeverisë për formulën e fshirjes së detyrimeve të bizneseve në Tatime dhe Dogana ?

z. Jens Reinke:

“Ne biem dakord që duhe të ketë procedura të qarta se si të fshihen detyrimet, të cilat janë të pambledhshme, por duhet të ketë edhe procedura të qarta se si të mblidhen ato lloj detyrimesh të prapambetura tatimore, të cilat mund të mblidhen. Përsa i përket detajeve teknike se si mund të mblidhet kjo, ekspertët tanë janë në bisedime me ekspertë të Ministrisë së Financave”.

11 – Një nga shqetësimet që ju keni ngritur ka qenë mos efikasitetit i mbledhjes së taksës së pronës. Si e shikoni angazhimin e qeverisë në këtë drejtim? A mendoni se duhet rritur taksa për pronën? Si është propozimi për formulën që duhet përdorur?

z. Jens Reinke: 

“Përsa i përket buxhetit 2017 ka një angazhim nga ana e qeverisë për të mbledhur këtë lloj takse bazuar në ligjin aktual. Ka shumë dobësi, sidomos përsa i përket bazës së të dhënave, nuk ekziston një kadastër mbi vlerën e pronave apo me të dhëna për pronën, kjo e vështirëson mbledhjen e taksës”. 

12 – Qeveria ka miratuar ligjin që parashikon anëtarësimin me detyrim të bizneseve pranë dhomave publike të tregtisë, gjë që është rrëzuar nga Presidenti i vendit si antikushtetues. A mendoni se ky ligj është i duhur në Shqipëri ?

z. Jens Reinke:

“Në të vërtetë nuk mund të jap një opinion mbi këtë. Vende të ndryshme kanë zgjedhur mënyra të ndryshme. Unë nuk është se kam patur ndonjë diskutim për këtë ligj, as nga qeveria as nga shoqata biznesit.

Gazetare: Oljana Maloku