Pas këndit të lojrave te kodrat e liqenit kryeqytetit i është shtuar edhe një tjetër mjedis dedikuar fëmijëve.

Bashkia e Tiranës ka përfundur këndin e lojrave në rrugën “Mine Peza”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky është modeli i parë i 12 hapësirave të ngjashme publike që do të ketë në të gjithë Tiranën.

Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë, Tiranë:

 “Si kjo hapësirë te rruga ‘Mine Peza’, do të bëjmë edhe 12 të tjera në lagjet kryesore të qytetit. Jo çdokush mund të shkojë çdo ditë tek këndi i lojërave te Liqeni, por për nevoja ditore, banorët e blloqeve të tilla pallatesh do të kenë mundësi, që fëmijët e tyre të luajnë në kënde lojërash të ngjashme, ku do mund të ushtrohen fizikisht pranë natyrës”.

Hapësira prej 3400 metrash katrorë në rrugën “Mine Peza” do të shërbejë për çdo grupmoshë.

Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë, Tiranë: 

Jemi munduar gjithashtu, që të bashkojmë gjeneratën. Fëmijët nuk mund të rrinë pa gjyshërit dhe gjyshet e tyre, pa prindërit, ndaj më vjen mirë që kemi mjaftueshëm ambiente në këtë hapësirë për të gjithë të moshuarit, që teksa luajnë bashkë me fëmijët, të kenë mundësi edhe ku të pushojnë”.

Në çdo lagje krahas këndeve me lodra Veliaj premtoi se do të ketë edhe terrene sportive./tvklan.al