Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur gjatë mbledhjes së sotme për pikëzimin dhe renditjen e Altin Binajt si kandidat për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese. Pas intervistës së zhvilluar disa ditë më parë, mësohet se KED ia ka përcjellë po ditën e sotme vendimin e saj Kuvendit.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 14.12.2020, vijoi mbledhjen, sipas njoftimit të datës 11.12.2020,në lidhje me diskutimin dhe miratimin e listës përfundimtare të renditjes, si dhe i raportit përkatës, të cilat do të dërgohen më pas pranë organit të emërtesës.

Në mbledhjen e sotme merrnin pjesë anëtarët e KED, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, përfaqësuesi i Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës.

KED po sot, i përcolli këto akte pranë organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, thuhej në një  njoftim për mediat.

Më 11 Nëntor, Binaj u paraqit për intervistën përpara anëtarëve të KED. Ai iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Këshillit dhe prezantoi platformën në lidhje me kandidimin e tij për në Gjykatën Kushtetuese. /tvklan.al