Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda liroi nga burgu Emirjon Gjutën, një prej të arrestuarve për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe hedhjen e pakos me eksploziv pranë stacionit të autobusit, në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Emirjon Gjuta dyshohet se është personi që kishte siguruar telefonin dhe kartën SIM, që u përdorën për shpërthimin të farmacia.

Si ideator dhe organizator i vendosjes së tritolit akuzohet kushëriri i tyre, Vladimir Gjuta.

35 – vjeçari u arrestua në 18 Qershor në hyrje të tunelit të Kalimashit, në një super operacion të Policisë së Shtetit. Në momentin që u prangos, ai mbante një paruke të cilën e përdorte për të mos u njohur nga policia.

Bashkë me Vladimir Gjutën ndodhen në burg edhe Baftjar Bruko, Lumjan Matmuja dhe një tjetër person.

Për shitësin e celularëve, Emirjon Gjuta, gjykata caktoi masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’.

Tv Klan