Një 28-vjeçar është kërcënuar me armë dhe është goditur me qytën e pistoletës nga tre persona, të cilët janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në orën 11:00 në rrugën nacionale Peshkopi – Bulqizë.

28-vjeçari me iniciale A.Sh denoncoi në polici se u kërcënua nga të dyshuarit me iniciale F.T. 29 vjeç person me rekorde kriminale, 32-vjeçari me dy identitete A.I. dhe D.T., dhe 20-vjeçari me iniciale E.D.

Sipas dëshmisë së 28-vjeçarit në polici, tre të dyshuarit e akuzuan si personin që ka kryer ose ka shtyrë persona të tjerë për t’i bërë atentat një qytetari me iniciale F.T, ngjarje e ndodhur në datë  11 Dhjetor në fshatin Peladhi të Bulqizës.

Policia ka shpallur në kërkim të dyshuarit, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Dibër për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,  “Kanosja”, “Plagosje e lehtë, kryer në bashkpunim,  dhe “Vetgjyqësia”.

/tvklan.al