Një grua është sulmuar për herë të pestë me acid, në shtetin indian të Uttar Pradesh.

Sipas BBC, ajo u sulmua jashtë një hosteli në Lucknow, teksa po mbushte ujë.

35 – vjeçarja, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur, mësohet se prej kohësh ruhej nga policia, për shkak të sulmeve të mëparshme, të nisura nga një konflikt për pronën.

Ajo ishte sulmuar dhe përdhunuar fillimisht nga dy burra në 2008 -ën. Të njëjtët persona akuzohen se i hodhën asaj acid edhe dy herë të tjera në 2012 -ën dhe 2013 -ën, në mënyrë që gruaja të tërhiqte akuzat ndaj tyre.

Në Mars, shkruan më tej BBC, ajo u sulmua teksa udhëtonte bashkë me të bijën me tren. Këtë herë ajo u detyrua që të pinte acid.

Gjyqi për dy të akuzuarit vijon, por ata u lanë në liri me kusht në Prill.

Ky sulm i radhës ka shkaktuar zemëratë ndaj autoriteteve në vend, për paaftësinë për ta mbrojtur 35 – vjeçaren./tvklan.al