Kur duhen rreth 2 javë nga zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qendrat e votimit paraprake u hapën në Florida, ku Hilari Klinton dhe Donald Tramp janë në një garë kokë më kokë.

Qendrat për votim paraprak u hapën edhe në Teksas e Kansas. Ndërkohë në Florida, votimet postare gjithashtu kanë nisur prej javësh. Votimet parakohëshme cilësohen si tejet të rëndësishme në SHBA pasi shpeshherë kanë rezultuar thelbësore.

Më shumë se 6 milionë amerikanë kanë votuar tashmë, ndërsa deri në datën e zgjedhjeve, parashikohen të kenë votuar rreth 46 milionë qytetarë, apo rreth 40% e elektoratit.

Hilari Klinton dhe Donald Tramp e kanë përqëndruar pikërish në Florida fushatën e tyre, me disa ndalesa.

Sipas një sondazhi të CBS, Klinton ka një epërsi të ngushtë me 3 pikë ndaj rivalit të saj. Ish – Sekretarja Amerikane kryeson me 46% të votave krahasuar me 43% të miliarderit. Ndërsa një tjetër sondazh i CNN, flet për një epërsi edhe më të madhe të Klinton, prej 6 pikësh.

Amerikanët do të shkojnë në kutitë e votimit më 8 Nëntor për të zgjedhur presidentin e 45-të. Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë do të zyrtarizohet më 20 Janar 2017.

Tv Klan