Një grua tregon se si është qëlluar 5 herë me armë nga bashkëshorti i saj, i cili më pas qëlloi edhe djalin e tyre dhe u mburr për të gjithë këtë në Facebook.

KeKe Valentine, 39 vjeç, nga Karolina e Veriut, tha se i detyrohet për jetën djalit të saj të guximshëm, Earl Junior, 15 vjeç, i cili doli para armës së babait të tij për ta mbrojtur në Shtator të vitit të kaluar.

Keke, e cila gjendet në karrige me rrota për shkak të lëndimeve të saj, tha:

“Do të isha e vdekur tani, nëse nuk do të ishte për djalin tim. I kam borxh atij gjithçka, ai është heroi im dhe do të më mungojë gjithmonë.”

Nëna e pikëlluar tregon se Earlin e ka njohur kur ishte 19 vjeç dhe se ai ishte shumë i dashur me të. Ata sollën në jetë Debonet në Dhjetor të vitit 1997 dhe u martuan në Dhjetor të vitit 1999.

Por kur KeKe zbuloi se ishte përsëri shtatzënë, ai u zemërua, duke thënë se nuk donte më fëmijë, pasi për të mjaftonte vajza. Earl madje i kërkoi asaj të abortonte, por ajo refuzoi dhe në Tetor të vitit 2000 solli në jetë Earl Junior.

“Shtatzënia ime ishte një fatkeqësi. Ai më bëri shumë presion për disa javë rresht që të abortoja, por unë nuk pranova, ndaj u larguam me njëri – tjetrin. Dëgjova që ai kishte marrëdhënie me gra të ndryshme, por mendova se kur të shihte djalin e sapolindur do të ndryshonte.”

Por kjo nuk ndodhi dhe si të mos mjaftonte kjo, ai u bë i dhunshëm ndaj KeKes. Një natë, i acaruar nga e qara e foshnjes, e sulmoi duke u përpjekur ta mbyste dhe ndërsa ajo përpiqej të luftonte e godiste në fytyrë.

KeKe qëndroi me të dhe nuk e denoncoi, por kur zbuloi se nga tradhëtia e tij kishte ardhur në jetë një fëmijë, vendosi të ndahej.

Pas pak kohësh Earl u rikthye, duke i kërkuar falje dhe për hir të fëmijëve, ajo vendosi t’i japë një shans të dytë, por nuk kaloi shumë kur u pendua për këtë vendim.

Marrëdhënia e tyre vazhdoi e tillë, me ndarje e rikthime, derisa KeKe në Janar të vitit 2016 vendosi të largohej së bashku me fëmijët.

Por më 6 Shtator, rreth orës 01:30, Earl hyri në shtëpinë e saj me dhunë duke e sulmuar.

“Papritmas dëgjova një “bum” të zhurmshëm dhe një djegie në gjoks, pastaj disa të tjera. Nuk mund të merrja frymë. U përpoqa të vrapoja drejt dhomës time. Isha e tmerruar dhe po më rridhte gjak nga trupi. Mendova se do vdisja.”

Djali i tyre, Earl Junior, doli nga dhoma dhe u përpoq ta ndalte të atin, por ai e qëlloi drejt e në zemër dhe u arratis. I plagosur djali telefonoi policinë, duke i thënë se ishin qëlluar nga i ati.

Earl Valentine u shpreh në Facebook:

“Sapo vrava gruan time. E kam dashur, por ajo e ka merituar atë që i ndodhi … Nuk ndiej keqardhje për atë që bëra.”

KeKe pas një sërë operacionesh për të mbijetuar, mori vesh se i biri kishte vdekur, bashkëshorti ishte vetvrarë, ndërsa ajo ishte paralizuar.  

“Isha e mpirë, nuk mund të flisja. Dhimbja ishte kaq e thellë, nuk mund të kuptoja se çfarë na kishte ndodhur. Më mungon shumë djali im, dua vetëm ta përqafoj, por ai nuk është më.”

KeKe ndodhet në karrige me rrota, pasi ka ende një plumb në shtyllën kurrizore, i cili nuk mund të hiqet për momentin, pasi është shumë e rrezikshme. Ajo është e vendosur që të ngrihet nga karrigia dhe po lufton që të ecë sërish një ditë.

“Unë e ndjej djalin tim rreth meje gjatë gjithë kohës dhe e di se ai dëshiron që unë të jem e lumtur dhe të vazhdoj jetën time. Earl më shpëtoi jetën, ndaj i detyrohem kujtimit të tij që unë t’ja dal mbanë.”

/ tvklan.al