Në orët e para të 1 Janarit të vitit 2022 u regjistrua edhe incidenti i parë. Sipas një njoftimi të policisë, një zjarr ra në katin e katërt të një pallati në “Don Bosko” në kryeqytet. Fatmirësisht nuk kishte njerëz të lënduar, por për dëme materiale.

“Me datë 01.01.2022, rreth orës 00:10, në “Don Bosko”, ka rënë zjarr në katin e katër të një pallati, në banesën në pronësi të shtetasit G. B., ku ka vetëm dëme materiale”, thuhej në një njoftim të policisë.

Në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse të cilat bënë të mundur fikjen e zjarrit. Ndërkohë vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Në një prononcim për shtyp pas ndërrimit të viteve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano tha se përveç këtij rasti nuk ka pasur asnjë incident tjetër në Shqipëri. Po ashtu nuk është raportuar asnjë problem sa i përket përdorimit të fishekzjarreve apo nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale./tvklan.al