Investimet e huaja në vitin 2016-të zunë afro 50% të totalit të investimeve në ekonominë shqiptare. Prej 2014-s dhe deri në fund të vitit që shkoi, fluksi i parave nga jashtë, që kanë hyrë në ekonominë tonë është rritur vazhdimisht. Në 2014-ën kapitali i injektuar nga të huajt zinte vetëm 38%  të këtij portofoli në ekonomi.

Por pavarësisht kësaj, Instituti i Statistikave Shqiptare raporton se numri i ndërmarrjeve me kapital të huaj dhe të përbashkët është ulur. Nga viti 2015-të deri në 2016-ën, në Shqipëri ka 302 biznese të huaja më pak. Po ashtu në rënie është edhe numri i të punësuarve nga këta sipërmarrës. Në 2014-ën të huajt zinin 19% të tregut të punësimit në vendin tonë, ndërsa në fund të vitit që shkoi ata kanë 16% të të punësuarve.

70% e ndërmarrjeve të huaja dominohen nga shtetet e Bashkimit Europian, ku e para në listë është Italia dhe e dyta Greqia. Vitin që shkoi, edhe pse pati një rënie të sipërmarrësve që vijnë për të investuar në Shqipëri, u hapën 130 ndërmarrje të reja në fushën e industrisë, ndërsa janë tkurrur ato të ndërtimit, tregtisë, hotelerisë dhe informacionit.

Tv Klan