Refuzimi publik i kërkesës së opozitës për interpelancë nga ana e kryeministrit, ka qenë objekt debatesh në Konferencën e Kryetarëve të zhvilluar këtë të mërkurë me dyer të mbyllura. Kreu i grupit kuvendor demokrat Gazment Bardhi e sheh përgjigjen negative për të ardhur në interpelancë në parlament nga ana e Ramës si shkelje kushtetuese. Ndërsa përfaqësuesit e shumicës njëlloj si kryeministri çështjen për të cilën Rama thirret në interpelancë e vlerësojnë si çështje personale që nuk lidhet me detyrat funksionale të kreut të qeverisë.

Gazment Bardhi: E keni shndërruar republikën parlamentare në republikë kryeministrore. Nuk ka tagër ligjor dhe kushtetues që kryeministri të vendosë arsyet dhe temat e thirrjes në interpeleancë ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë. Kjo është shkelje e hapur kushtetuese.

Lindita Nikolla: Interpelanca nuk parashikon çështje personale.

Gazment Bardhi: Çështjet që kam ngritur ndaj Kryeministrit, nuk janë çështje personale.

Bledi Çuçi: Këtu jemi në Konferencë Kryetarësh, jo në mbledhje grupi parlamentar apo mbledhje partie. Përgjigjja është e qartë,  s’ka lidhje me objektin e kërkesës për interpelancë që kërkon Bardhi. Nuk mund të jetë çdo tryezë për të thënë çdo gjë që na vjen në mendje.

Shumica dhe opozita kanë diskutuar dhe për propozimin e shumicës për ngritjen e një komisioni të posaçëm për dezinformimin. Demokratët kërkuan më shumë informacion mbi objektin e punës së këtij komisioni ndërsa socialistët sqarojnë se është detyrim që rrjedh nga marrëveshja e nënshkruar me SHBA-në si dhe rekomandim i BE-së për të ndaluar ndërhyrjet e aktorëve të tretë në proceset demokratike të vendit.

Gazment Bardhi: Do duhet të hiqet çdo dilemë për ndërhyrje në lirinë e medias. Nëse nuk është ky qëllimi i fshehur, duhet të marrim kohën e nevojshme dhe mos e trajtojmë si një temë për konsum ditor.

Bledi Çuçi: Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë çdo iniciativë të mazhorancës. Dezinformimi është një nga instrumentet që po përdoret gjerësisht për të cënuar vlerat demokratike. Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë.

Në përfundim ngritja e Komisionit të Posaçëm me mandat 1-vjeçar u miratua vetëm me votat e shumicës.

Tv Klan