Në datat 11-13 Qershor, kryeqyteti shqiptar do të mirëpresë Konferencën Rajonale Europiane të organizatës ndërkombëtare të Policisë Kriminale, Interpol. Lajmin e dha këtë të mërkurë Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, pas mbledhjes së qeverisë.

“Ministria e Brendshme kishte propozuar për mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave dy akte. I pari ka të bëjë me lajmin e mirë se Shqipëria është përzgjedhur për të mirëpritur Konferencën Rajonale Europiane të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, Interpol, që do të zhvillohet në Tiranë më 11-13 Qershor. Është një vlerësim së pari për Shqipërinë, por edhe rezultatet e mira të arritura nga Policia e Shtetit, e cila në bashkëveprim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese ka forcuar goditjen kundër krimit të organizuar, kundër pandëshkueshmërisë, sepse kjo lidhet drejtpërsëdrejti me një etapë të re të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit dhe Interpolit”.

Për ministrin ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi, “është një moment që do të shërbejë për të mirëpritur në Shqipëri drejtuesit e ministrive të Brendshme dhe drejtuesit e policive të shtetit të të gjitha vendeve të Europës.”/tvklan.al