Të bërit prind është padyshim një nga momentet më të bukura për të gjithë, por që gjithashtu të përball me sfida të ndryshme. Shpesh herë vihemi në dilemë nëse jemi duke e rritur siç duhet apo jo fëmijën tanë, megjithatë vështirë se mund të gjendet një manual prindërimi.

Këtë të premte në emisionin “Rudina” në Tv Klan u trajtuan disa çështje për të cilat shpesh herë prindërit vihen në dilemë, siç janë puthja në buzë e fëmijëve, larja në dush, veshja e fëmijëve në plazh, apo edhe marrëdhënia e fëmijëve me paratë.

Gazetarja Dasara Karaiskaj tha se është kategorikisht kundër puthjes në buzë të fëmijëve.

Rudina: Ju ka ndodhur juve t’i puthni fëmijët në buzë? E keni praktikuar këtë me fëmijët, vajzat tuaja?

Dasara Karaiskaj: Në asnjë mënyrë, unë jam shumë kategorike në këtë drejtim, edhe pse në përgjithësi kam një imazh rebel, në të vërtetë për gjëra të tilla jam shumë konservatore. Kjo ka qenë një gjë për të cilën si unë si Damiano kemi rënë dakord menjëherë. Kështu që nuk e kemi diskutuar ndonjëherë, kemi qenë kundër. Kategoritë kundër puthjes në buzë, sepse mendojmë që sikur fëmija të kuptojë se në buzë nuk puthet mami dhe babi do të ishte më mirë se sa…qoftë edhe vetëm për këtë, jo sepse ka realisht diçka të keqe ose diçka që ngatërrohet. Por vetëm për faktin që të bëhen ca dallime dhe të jenë ca vende ku puthet mami dhe babi dhe të jenë ca vend ku puthet fëmija.

Rudina: Kjo ka qenë qasja juaj.

Dasara Karaiskaj: Po, po, për të mos hyrë më pas tek historitë e tjera, që edhe aty kam rezervat e mia. Por edhe sikur mos të shkoja tek problemet e tjera që mendoj se sjell, sikur edhe vetëm për kaq mendoj se do të ishte më mirë që prindërit të mos i puthnin në buzë fëmijët e tyre. /tvklan.al