Juventus-Fiorentina do të jetë ndeshja e Masimiliano Alegrit dhe Vinçenco Italianos, dy trajnerë me filozofi të ndryshme, por që kanë të përbashkët pasigurinë për të ardhmen.

Të dy kanë si objektiv që të marrin tri pikët.

“Zonja e Vjetër” u rikthye te fitorja në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, ndërsa me sukses e mbyllën edhe vjollcët sfidën e parë në këtë fazë.

Në Serie A, bardhezinjtë kanë marrë vetëm 2 pikë nga 4 sfidat e fundit, ndërsa kanë humbur vetëm 1 nga 15 takimet e fundit në shtëpi.

Trajneri Masimiliano Alegri analizon përballjen ndaj Fiorentinës.

“Objektivi ynë tani është që të konsolidojmë pozicionin në kampionat që vlen Ligën e Kampioneve, objektivin tonë sezonal. Vlerën tonë e jep fusha me klasifikimin. Sigurisht që skuadra është rritur që nga nisja e sezonit dhe sot është më e fortë. Përballemi me një ekip që luan shumë mirë dhe krijon shumë raste! Do të duhet të bëjmë një paraqitje të mirë sepse na duhet rezultati.”

Fiorentina ka humbur 11 nga 12 ndeshjet e fundit në transfertë kundër Juventusit, ndërsa në 4 nga 6 sfidat e fundit nuk ka shënuar asnjë herë.

Për teknikun e vjollcëve Vincenzo Italiano, skuadra e tij do të arrijë që ta kalojë këtë pengesë të vështirë, pavarësisht se kundër ka një ekip me futbollistë që bëjnë diferencën.

Vjollcët kanë fituar vetëm dy nga shtatë ndeshjet e fundit kundër Juventusit në Serie A, por nuk kanë pësuar më shumë se një gol në asnjë nga këto ndeshje.

Klan News