Juventus nuk është ekip i pathyeshëm. Bardhezinjtë humbën në “Olimpico” ndaj Romës pas 16 ndeshjesh në kampionat ku nuk kishin provuar disfatë.

Me fitoren 3-1, Roma ngjitet në kuotën e 81 pikëve, 4 më pak se Juventus, kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje për tu luajtur.

Juve kaloi e para në avantazh në mesin e pjesës së parë por kjo zgjati vetëm 4 minuta pasi De Rossi barazoi.

Me fillimin e së dytës, lojtarët e Spalettit vunë shpirtin në fushë dhe gjetën golin e avantazhit me El Shaarawy. Goditja e tij mori një kthesë të çuditshme për tu kthyer në rrjetën e Giggi Buffon.

Roma nuk e uli ritmin e lojës dhe kjo solli edhe golin e tretë që ka si autor Naingolan.

Pas golit të tretë Roma filloi të administrojë rezultatin. Me gjithë ndërrimet e bëra nga Allegri, bardhezinjtë nuk mundën të çanin mbrojtjen e Romës, ndërsa nga ana tjetër, edhe pse Doli në nxemje, Francesco Totti, u aktivizua në këtë ndeshje vetëm në 2 minutat e fundit të shtesës ku mori duartrokitjet e tifozëve në “Olimpico”.

Me këtë fitore, Roma blindon vendin e dytë të renditjes dhe shtyn për javët e ardhshme festën e Juves për titullin kampion./Tv Klan