Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, ka ritheksuar se janë më të vendosur se kurrë që ta pamundësojnë ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se integriteti territorial i shtetit është shtyllë e sovranitetit dhe fuqisë së shtetit

.

“Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! Integriteti territorial i shtetit është shtyllë e sovranitetit dhe fuqisë së shtetit. Prandaj është tepër me rëndësi që pas debatit, marrëveshja të anulohet dhe të dërgohet në rishikim, ku do të korrigjohen gabimet fillestare. Komisioni dhe nënshkruesit duhet të japin llogari për këtë marrëveshje, e cila po të mos ishte rezistenca jonë, tani do të ishte punë e kryer. Dëmet e shkaktuara janë të thella, por zbatimi eventual i saj do të ishte burim i konfliktit të përhershëm edhe për gjeneratat. Andaj, ne u angazhuam dhe s’do të ndalemi deri në realizimin e së drejtës për të ruajtur tokën tonë,”

ka thënë ajo për Telegrafin.

Ndërsa ka shtuar se VV është e mobilizuar dhe më e vendosur se kurrë që ta pengojë ratifikimin e kësaj marrëveshje.

“Jemi më të vendosur se kurrë që ta pamundësojmë ratifikimin e kësaj marrëveshje. Sa më e madhe që të jetë tentativa e pushtetit për ratifikimin e kësaj marrëveshje, aq më të vendosur do të jemi në rezistencën tonë brenda dhe jashtë Kuvendit. Jo për t’i matur forcat me pushtetin, por për ta mbrojtur territorin e Republikës. Një marrëveshje që rrezikon shtetin, duke humbur territor, burime ujore , kuota strategjike ushtarake, në 4 km vijë ajrore të Qafa e Çakorit dhe Kulla e Zhlebit, ku Mali i Zi hyn në Kosovë, nuk do të lejojmë të zbatohet në Kosovë. Por mbi të gjitha, marrëveshja rrezikon tkurrjen e mëtejshme gjatë demarkacionit me Serbinë, në rast të krijimit të një precedenti të këtillë duke lejuar që kadastra të jetë kriter dhe metodologji, sidomos kur kemi parasysh se origjinalin e librave kadastralë që e mbanë edhe më tutje Serbia.”/

tvklan.al