Gjashtë njerëz janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagsour nga të shtënat në një xhami në qytetin Kuebek të Kanadasë.

Ngjarja ka ndodhur në Qendrën Kulturore Islamike, të dielën vonë, ku mbi 50 veta janë mbledhur për lutjet e mbrëmjes.

Një i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes, një tjetër në afërsi. Policia nuk beson se ka të dyshuar të tjerë në arrati.

Autoritetet kanadeze janë duke i trajtuar të shtënat si “sulm terrorist”.

“E dënojmë këtë sulm terrorist mbi myslimanët”,

tha kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

“Myslimano-kanadezët janë pjesë e rëndësishme e strukturës sonë kombëtare dhe këto akte të pakuptimta nuk kanë vend në komunitetet tona, në qytetet dhe shtetin t

onë”, tha Trudeau.

Kreu i qeverisë në Kuebek, Philippe Couillard, po ashtu iu referua të shtënave si “sulm terrorist”.

“Askush nuk është plotësisht i sigurt dhe asnjë komunitet, në këtë botë të vogël, nuk mund të ndjehet i sigurt. Andaj, është e rëndësishme për qeverinë që me gjithë energjinë dhe mjetet e saj të garantojë siguri, sa më shumë që të jetë e mundur. Ne nuk duhet të tërhiqemi dhe të bëhmi shoqëri e mbyllur për shkak të kësaj ngjarjeje të tmerrshme. Përkundrazi, duhet të vazhdojmë të luftojmë së bashku për një shoqëri të hapur, gjithëpërfshirë dhe paqësore”,

tha Couillard.

Kreu i xhamisë ku ka ndodhur sulmi, Mohamed Yangui, tha se të shtënat kanë ndodhur në sektorin e meshkujve. “Kjo është barbare”, tha ai.

Në Nju Jork, policia tha se ka rritur patrullat përreth xhamive.

Në Francë, presidenti Francois Hollande e dënoi fuqishëm, siç tha ai, sulmin e urryer në Kuebek, ndërsa zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se ai është një “sulm i neveritshëm”.

“Nëse vrasësit synojnë të ndajnë ose të vënë kundër njëri-tjetrit njerëzit e besimeve të ndryshme, ata nuk duhet dhe nuk do të kenë sukses”,

tha Steffen Seibert.

Sulmi në Kuebek ka ndodhur në kohën kur Qeveria kanadeze është zotuar se do të hapë dyert për migrantët dhe refugjatët myslimanë, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një udhër ekzekutiv më 27 janar, për pezullimin e hyrjes në SHBA të të gjithë njerëzve që vijnë nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Ministri për Migrim i Kanadasë, Ahmed Hussen, ka thënë se vendi i tij do t’iu ofrojë leje të përkohshme banimi njerëzve të bllokuar si rezultat i urdhrit të Trumpit.

Ai po ashtu ka thënë se Kanadaja do të vazhdojë të ndjekë politikën e migrimit bazuar në “dhembshuri”.

“Ne i mirëpresim ata që ikin nga persekutimi, terrori dhe lufta”

, ka thënë Hussen.

Në qershor të vitit të kaluar, e njëjta xhami, ku ka ndodhur sulmi të dielën, ka qenë cak i një incidenti islamofobik, pasi një kokë derri është lënë përpara ndërtesës me mesazhin: “Ju bëftë mirë”. Të ngrënit derr është e ndaluar në Islam.