“Jemi dy krutanë, duam 10 mijë euro, në të kundërt do të kesh probleme me ne”. Ky është një prej mesazheve kërcënuese që pastruesi i xhamave Altin Valisi 21- vjeç si dhe Durim Dervishi 19- vjeç, nxënës i shkollës së mesme “Arben Broci” i dërgonin tregtarit Piro Zoto, pak javë më parë. Të dy të rinjtë nga Tirana, u arrestuan gjatë operacionit “Last Night”, të policisë së Tiranës, në një lokal në Laprakë.

Ata akuzohen për shtrëngim me dhunë apo kanosje për dhënie pasurie. Sipas policisë të dy personat dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kërcënonin Piro Zoton për dhënie pasurie. Ky i fundit kryente aktivitetin tregtar të prodhimeve plastike në autostradë, jo shumë larg banesave të të arrestuarve.

Të dy të rinjtë për shkak të lojës në baste sportive kishin humbur para dhe për këtë shkak kanë menduar që t’i marrin 10 mijë euro, Zotos, duke i dërguar herë pas here sms me tekst kërcënues. Zoto fillimisht ka pranuar të komunikojë me të arrestuarit, por më pas ka denoncuar në policinë e Tiranës. Të dy të rinjtë u identifikuan dhe u arrestuan blutë e kryeqyetit. Të dy atyre iu kapën edhe telefonat me të cilët kishin dërguar mesazhet kërcënuese si dhe një automatik kallashnikov.

Tv Klan