Analisti grek

Elexis Papachelas

ka shkruar një koment në gazetën ‘Ekathimerini’ mbi rrezikun e një incidenti në Egje mes Turqisë dhe Greqisë, pozicionin e Trumpit dhe forcën e Berlinit për të qetësuar gjendjen.

Tensioni mes dy fqinjëve vijon të mbetët i lartë me dy shtetet që pretendojnë dy ishujt të pabanuar, të quajtur Imia në Greqisht dhe Karadak në Turqisht.

Javën e kaluar pati reagime dhe kundër-reagime me kërcënime nga Athina dhe Ankaraja zyrtare.

Në një intervistë me Alexis Tsipras në vitin 2013, Unë e pyeta se kë do të telefononte nëse do të ishte kryeministër dhe do të mësonte rreth një incidenti serioz në Egje. Ishte e qartë se ai nuk e kishte menduar mirë skenarin dhe mu përgjigj: “Z. Erdogan, sigurisht” në referencë të kryeministrit të atëhershëm turk, dhe presidentit të tanishëm.

E pranoj që nuk do ta bëja të njëjtën pyetje sot, pasi nuk ka përgjigje të qartë. Kur incidente të tilla kanë ndodhur në të kaluarën, Georgios Papandreou ka folur me Presidentin amerikan, Lyndon B. Johnson, diktatori Georgios Papadopoulos ka telefonuar Cyrus Vance-n, Constantinos Karamanlis u kthye kah Gerald Fordi e kështu me radhë. Ata të gjithë e dinin pak a shumë cila do të ishte përgjigjja e Uashingtonit: një farë lloj ndërhyrjeje për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në të dyja anët.

Gjërat janë ndryshe sot, pasi askush nuk e di se çfarë mendon Presidenti amerikan Donald Trump mbi çështjet e mëdha, apo kush mund ta influencojë nëse do të vendoste të ngrinte telefonin dhe të fliste me Tsiprasin apo Erdoganin. Zyrtarë që kanë mbajtur këto poste nuk janë më në detyrë dhe “makineria” nuk punon siç ka bërë në të kaluarën.

Nuk mund ta shpreh sa shumë e ndjej nevojën për kujdes. Greqia tashmë ka vuajtur nga mesazhe të keqkuptuara apo ngatërruara nga Uashingtoni. Tani, çdo amerikano-grek dhe kushëri i tij papritur shfaqet tek flet për Trumpin, duke thënë gjëra të çmendura si: ‘Sigurisht që ai do të jetë në anën e Greqisë në rast konflikti, është një vend i krishterë.’

Faktori i dytë është dobësia e Europës në menaxhimin e krizave. Berlini po përpiqet të luajë një rol udhëheqës si problem-zgjidhës nga Kosova në Qipro, por ai nuk është provuar në kriza të mëdha që duan reflekse të shpejta. Cfarë është më e rëndësishme, Erdogani ka leva që nuk i ka pasur më parë, për shkak të krizës migratore. Ai e di që mund t’i shkaktojë probleme të mëdha kancelares Gjermane dhe shteteve të tjera evropiane duke u hapur kufijtë emigrantëve sirianë.

Erdoganin e kam lënë për fund. Ai nuk është Tansu Ciller dhe as Turgut Ozali. Ai ndihet i plotfuqishëm dhe nën presion; nuk ka asgjë që qëndron mes tij dhe lidershipit të ushtrisë tashmë; zona tampon mes politikës dhe çdo vendimi taktik është hequr. E vetmja pengesë është dobësimi i forcave të armatosura dhe heqja e oficerëve, pilotëve dhe personelit të mirë-trajnuar.

Me fjalë të tjera, kjo absolutisht nuk është koha për incident me Greqisë dhe Turqisë.

” /tvklan.al