Mes te arrestuarve dhe 2 punonjës të skanerit të Portit të Durrësit

Policia arrestoi 3 persona si përgjegjës për trafikun e 33.5 kilogramëve kokainë e sekuestruar të enjten në Portin e Durrësit ne një kontejner me banane i porositur në Ekuador.

Droga ishte e futur brenda arkave me banane siç duket në këto foto.

Në pranga përfunduan Petrit Demishaj, administrator i kompanisë që kishte porositur ngarkesën dhe dy punonjës në skanerin e Portit, Alban Naziraj dhe Artur Sevdaraj.

Këta të fundit dyshohet se kanë ndihmuar me anë të falsifikimit kompjuterik që skaneri të mos kapte kokainën, e cila është gjetur më pas me anë të qenve antidrogë.

Policia bëri të ditur gjithashtu se kishte shpallur në kërkim presidentin e kompanisë.

Kontejneri në të cilën u gjet edhe sasia e lëndës narkotike të kokainës ishte nisur në 20 Shtator nga porti Bolivar, në 30 Shtator ka qëndruar në Portin Cristobal në Panama. Në 17 Tetor ngarkesa ka kaluar në Gioia Tauor në Itali dhe në 28 Tetor ka mbërritur në Portin e Durrësit.

Ndërkohë, kompania e cila ka porositur ngarkesën me banane, në datën 19 tetor, disa ditë para mbërritjes në Portin e Durrësit i ka dërguar shkresë Portit dhe Policisë Kufitare, ku ka kërkuar kontrollin e kontejnerve që do të mbërrinin.

Në këtë shkresë, kompania pretendon se nëpërmjet informacioneve që ka siguruar në mediat ekuadoriane dhe bashkëpunëtorëve atje ka dyshime se kontejnerët janë kontaminuar nga grupe kriminale që veprojnë në trafikun e drogës.

Tv Klan