Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ishte i fundit nga zyrtarët e lartë që dëshmoi të hënën para Komisionit Hetimor për inceneratorët në një mbledhje që zgjati për afro 12 orë.

Por që në nisje të dëshmisë tij, në cilësinë e ish-ministrit të Ekonomisë, ai tha se nuk ka pasur tagër për të dhënë mendim mbi procedurën dhe as të përfshihet në dhënien e PPP-ve.  

“Ministria e Ekonomisë nuk ka tagër për të thënë kjo është kështu apo ashtu, por është në nivel politikash. Këtu s’ka pasur vendim. Po diskutojmë për një letër korrekte që ka konsekuensë nul. Ministria nuk përfshihet në procedurë të dhënieve ë PPP-së. Ka pasur një draft që nuk është miratuar”.

Ai mohoi që të ketë patur kontakt me administratorët e kompanive që zotërojnë inceneratorët, por kur u pyet nëse kishte udhëtuar me ndonjë prej tyre u përgjigj: “Ky nuk është objekt i këtij Komisioni. Unë kam udhëtuar më shumë miq. Në këtë vend duhet të pyetem kë nuk njoh, sepse njoh 95 % të biznesit shqiptar”.

Për më tepër se 150 minuta, ministrja e Energjetikës Belinda Balluku përpara komisionit veç sqarimeve teknike për funksionimin e koncesionit për impiantin e Sharrës dhe partneritetit publik privat për Fierin dhe Elbasanin, akuzoi opozitën se po abuzon politikisht duke dhënë shifra të fryra për këto 3 investime.

“Në qoftë se ju merrni përsipër të thoni gjatë gjithë kohës dhe të flisni për 430 milionë në një mënyrë sikur këto i keni të kapur me presh vjedhje në këtë rast, kjo pastaj shkon si puna e karrigeve të Pallatit të Kongreseve që morën 5000 veta për 2000 karrige”.

Debatet ishin edhe më të ashpra kur përpara komisionit u paraqit në cilësinë e dëshmitares kryetarja në detyrë e Bashkisë së Durrësit. Kjo bashki pas mbylljes së depozitimit të mbetjeve në Porto Romano i depoziton mbetjet në Sharrë.

Largimi i saj u bë shkak për inicimin e një padie për të.

Jorida Tabaku: I kërkoj këshilltarëve të Komisionit të përgatisim një kallëzim për Emirjana Sako për refuzimin për të dëshmuar në këtë Komision.

Përpara komisionit dhanë dëshminë e tyre dhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani si dhe kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi.

Ndërkohë që më herët nje takim i kryetares së Komisionit Hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku me kreun e SPAK-ut, u bë shkak jo vetëm për debate të ashpra në këtë komision, por dhe për një kallëzim penal nga ana e mazhorancës.

Tv Klan