Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për ish-ministrin Arben Ahmetaj dhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, dhe do u komunikojë nëpërmjet avokatëve akuzat për dosjen, e cila rrjedh nga hetimi për inceneratorin e Elbasanit.

Ndaj Ahmetajt rëndon akuza e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, teksa ndaj dy biznesmenëve, ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Për të njëjtën dosje pritet që SPAK të marrë si të pandehur edhe persona të tjerë, teksa ka ndarë hetimet në një procedim tjetër. Ish-ministri u shpall në kërkim në Korrik të një viti më parë pas një hetimi të nisur në Shkurt të të njëjtit vit.

Fillimisht hetimet ndaj tij u zhvilluan për rolin që pati si ministër i Financave në inceneratorin e Elbasanit me dyshimet se kishte shpërdoruar detyrën.

Në Shkurt bazuar në një kallëzim dhe disa të dhëna të dala nga kompjuteri i biznesmenit Klodian Zoto dhe një telefon i vjetër sekuestruar Ahmetajt, SPAK zgjeroi hetimet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Kjo është dosja e dytë e SPAK për të cilën ish-ministri dhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është dërguar për gjykim, teksa nga arratia ka mohuar akuzat duke e konsideruar hetimin ndaj tij si politik.

Tv Klan